Sonte zhvillohet ndeshja e radhës në kuadër të gjysmëfinales së play-offit në basketboll, ku pritet një përballje shumë e fortë mes Pejës dhe kampionit në fuqi, Trepçës.
Skuadra pejane do të ketë avantazhin e terrenit vendas, pasi ndeshja zhvillohet në palestrën “Karagaç”, me fillim nga ora 19:30, në një duel që konsiderohet tejet i rëndësishëm për të dyja ekipet në garën për finalen.
Në përballjen e parë të zhvilluar në palestrën “Minatori”, ishte Trepça që doli fituese me rezultat 86-78, duke marrë kështu epërsinë në serinë gjysmëfinale.
Peja synon të barazojë serinë para tifozëve të vet, ndërsa Trepça do të kërkojë një tjetër fitore për t’u afruar edhe më shumë drejt finales së play-offit.
Atmosfera në palestër pritet të jetë elektrizuese, me tifozët vendas që pritet të luajnë rol të rëndësishëm në përkrahjen e skuadrës së tyre në këtë sfidë vendimtare.