Komuna e Gjakovës do të organizojë debatin e dytë publik para qytetarëve dhe shoqërisë civile rreth zbatimit të masave kundër korrupsionit në komunë.
Debati publik me qytetarë parashihet me Planin për Integritet, hartuar dhe miratuar nga Komuna e Gjakovës në shkurt të vitit 2015.
Sipas një njoftimi të UNDP-së, plani i Integritetit përmban masat për rritjen e transparencës dhe minimizimin e rreziqeve të korrupsionit në kuadër të komunës.
“Ky plan është hartuar nga zyrtarët e lartë të Departamenteve të Komunës dhe nga Agjencia Kundër Korrupsion. Hartimi i planit është mbështetur nga Programi Anti-Korrupsion i UNDP-së në Kosovë dhe financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Ministria e Punëve te Jashtme të Danimarkës. Zbatimin e këtyre masave do t’a monitorojnë vetë qytetarët dhe shoqëria civile ku gjatë debateve publike ku do të raportohet mbi masat që ka ndërmarr komuna për të luftuar korrupsionin, ata do të kenë mundësi për të shtruar pyetje dhe kërkuar sqarime”, thuhet në njoftim.