Pas tri javësh grevë, të hënën punëtorët e arsimit do t’i kthehen punës. Kjo, meqë të premten Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) hoqi dorë nga greva pasi arriti një marrëveshje me udhëheqësit e koalicionit qeveritar, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ndonëse Sindikata kërkonte që në Projektligjin për paga koeficientet e punëtorëve të arsimit të ngrihen për 30 për qind, me marrëveshjen e fundit kjo ngritje është rreth 20 për qind.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se punëtorët e arsimit e kanë mirëpritur që deputetët e votuan Projektligjin me ndryshimet e propozuara në marrëveshje dhe për këtë arsye të hënën do t’ia nisin procesit mësimor.
Megjithatë, Jasharaj ka thënë se nuk e di nëse do të zëvendësohen orët e humbura gjatë 15 ditëve të grevës. Kjo, pasi, sipas tij, Sindikata ua ka lënë në dorë mësimdhënësve që të vendosin në bazë të dëshirës nëse duan t’i kompensojnë orët.