Varrimi i gazetarit Hysni Syla do të bëhet sot në orën 16:00, në varrezat e fshatit Zasellë të Mitrovicës.
Hysni Syla ka vdekur sot pasi një ditë më parë u godit nga një veturë në Mitrovicën e Jugut.
Lajmin për vdekjen e gazetarit e ka konfirmuar Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla.
“Para rreth 30 minutash ka vdekur. Ka qenë në politraumë, gjendja e tij ka qenë e rende dhe ka pësuar lëndime në krejt trupin”, tha Syla për Express.
Sipas policisë, gazetari Hysni Syla, ishte në cilësinë e këmbësorit.
Ndërsa, pas aksidentit është arrestuar shoferi i veturës i cili dyshohet se aksidentin e ka shkaktuar nga pakujdesia.
Policia njofton se me vendim të prokurorit shoferi është dërguar në mbajtje.
“Rr. Shemsi Ahmeti, Mitrovicë Jug (NN) 04.01.2022 – 18:50. Është arrestuar vozitësi mashkull kosovar, pasi që me veturë nga pakujdesia ka goditur këmbësorin mashkull kosovar. Si pasoj, viktima ka pësuar lëndime dhe është dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.
Hysni Syla një kohë të gjatë ka shërbyer si zëdhënës i Komunës së Mitrovicës dhe njëherësh ishte zëdhënësi i parë i kësaj komune.
Ai në vitin 2012 mbajti postin e drejtorit të Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica”në Mitrovicë.
Hysni Syla ka punuar edhe si gazetar si dhe ka drejtuar Shoqatën e Gazetarëve në Mitrovicë.
Ai u nda nga jeta në moshën 71-vjeçare.