Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ(, Valmir Elezi, ka njoftuar të martën në mbrëmje se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), është përmbyllur numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit me kusht dhe votimit të personave me nevoja të veçanta.
“Të martën, më 6 janar, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë numëruar fletëvotimet e 57 vendvotimeve, në të cilat më 28 dhjetor u mundësua votimi me kusht, si dhe janë numëruar 37 kutitë e votimit brenda të cilave janë vendosur fletëvotimet nga votimi i personave me nevoja të veçanta, votimi i të cilëve është mundësuar ditën e zgjedhjeve përmes ekipeve mobile”, tha ai.
Elezi e ka sqaruar se në vazhdim të procesit të numërimit do të përfshihen fletëvotimet nga votimi përmes postës të tërhequra më 2 dhe 5 janar 2026 nga kutitë postare jashtë Kosovës.