Sot vendoset për taksën

Prishtinë | 22 Jan 2019 | 08:09 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Ramush Haradinaj sot pritet ta takojë ambasadorin amerikan në Prishtinë Philip Kosnett, ku do të diskutohet për taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe, masë kjo tregtare që kërkohet të hiqet urgjentisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), shkruan gazeta “Zëri”.

Takimi mes Haradinajt dhe Kosnett do të zhvillohet në zyrën e kryeparlamentarit Kadri Veseli. Ky i fundit javë më parë kishte deklaruar për medie se ka qenë iniciator për vendosjen e taksës 100 për qind, ndonëse deputetë të partisë së tij pas presionit të ndërkombëtarëve kanë filluar të ndryshojnë qëndrim rreth taksës.

Kreu i Qeverisë së Kosovës dje nuk ka dashur të komentojë nëse do të hiqet taksa ndaj mallrave serbe, ashtu siç po kërkojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. “Bora do të shkrihet dikur”, është përgjigjur Haradinaj në pyetjen e gazetarëve rreth mundësisë së heqjes së taksës në takimin që do ta zhvillojë sot me ambasadorin Kosnett.

Në anën tjetër, presidenti Hashim Thaçi ka bërë apel që të tërhiqet taksa, pasi që, sipas tij, ajo po cenon marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në. Ndërkohë, deputet nga radhët e opozitës janë shprehur të bindur që taksa 100% ndaj produkteve serbe do të suspendohet, pas kërkesave që vijnë nga SHBA-ja. Ndërsa analistët vlerësojnë që institucionet kosovare do të “dorëzohen” përballë presionit të SHBA-së që taksa të hiqet. Sipas tyre, kjo gjë nuk duhet të ndodhë pa u bërë e qartë se çka do të përfitojë Kosova nga ky kompromis.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme