Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka deklaruar se të gjitha gjetjet e evidentuara në raportet e auditimit, përfshirë edhe ato për menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë dhe shkeljet në prokurim publik, trajtohen nga departamenti përkatës në Zyrën Kombëtare të Auditimit dhe, në rastet kur dyshohet për elemente të veprës penale apo keqpërdorim, procedohen në Prokurorinë e Shtetit, raporton Ekonomia Online.
Spanca, duke iu përgjigjur pyetjes së Ekonomia Online, nëse gjetjet e auditimit përbëjnë bazë të mjaftueshme për trajtim nga organet e drejtësisë dhe nëse pret përgjegjësi institucionale, tha se pas publikimit të çdo raporti bëhet shqyrtimi i detajuar nga departamenti përgjegjës.
“Këtu do e theksoja, ne kemi departamentin e posaçëm i cili do të, do të merret me trajtimin, ku pas, ku pas publikimit të çdo raporti të auditimit, ky departament e merr dhe e shqyrton. Dhe aty ku vlerësohet se ka elemente potenciale të veprës penale apo të mashtrimit dhe keqpërdorimit, rasti procedohet tek prokurori i shtetit. Njësoj do të thotë procedura sikur tek të gjitha raportet e auditimit”, tha ajo.
Ajo shtoi se pret efikasitet më të madh nga Prokuroria e Shtetit dhe zbatim të marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar në vitin 2023 mes ZKA-së dhe Prokurorisë.
“Normal se presim nga prokuroria e shtetit që të jetë më efikase, dhe po ashtu presim që prokurori i shtetit ta respektojë marrëveshjen të cilin e kemi lidhur në vitin 2023, sepse në këtë mënyrë ne vazhdojmë të dërgojmë raste, mirëpo nuk kemi dijeni, do të thotë, për statusin e tyre, nëse janë mbyllur hetimet, apo vazhdojnë hetimet, apo është ngritur ndonjë aktakuzë”, tha ajo.
Spanca bëri të ditur se gjatë vitit 2025 janë dërguar 80 raste në Prokurorinë e Shtetit.
Lexo edhe:
