Spanja sfidohet nga “acari siberik”

Prishtinë | 12 Jan 2021 | 20:34 | Nga Ekonomia Online

Njerëzit në Spanjën qendrore po kanë telashe të mëdha derisa acari ka pasuar reshjet e dendura të dëborës në fundjavë.

Zyrtarët u kanë bërë thirrje pleqve që të rrinë në shtëpi. Së paku shtatë persona kanë vdekur deri tani nga të ftohtit – dy viktimat e fundit ishin persona të pastrehë në Barcelonë.

Temperatura ka rënë në minus 25 shkallë celsius në Molina de Aragon dhe Teruel, në malet në lindje të Madridit – nata më e ftohtë në njëzet vjetët e fundit në Spanjë.

Stuhia e dendur me dëborë “Filomena” është kthyer në mot të acartë, duke shkaktuar kaos në trafik. Ka pasur sasi të pazakonshme dëbore dhe akulli për Spanjën, ku dimrat zakonisht janë të butë.

Molina de Aragon, ku u regjistrua nata më e acartë, shtrihet 197 kilometra në verilindje të kryeqytetit spanjoll. Kjo ka bërë që shumëkush t’i referohet me “Siberia spanjolle”.

“Këtë acar do ta kemi edhe disa ditë, por do t’ia dalim bashkë”, ka thënë Yoli Asensio, qytetare e zonës.

“Ditët janë të vështira”, ka shtuar ajo, për vështirësitë e reja në përditshmëri. “Ka shumë dëborë, qasja në shtëpi dhe rrugë është bllokuar. Disa pleq janë rrëzuar dhe kanë pësuar thyerje”.

Pos dy vdekjeve në Barcelonë, së paku pesë tjera kanë ardhur gjithashtu prej të ftohtit: dy në Madrid, dy në Malaga dhe një në Zaragoza.

Temperatura gjatë natës ndërmjet të hënës dhe të martës në Madrid ka rënë në minus 16 shkallë celsius. Dhe spitalet e kryeqytetit, edhe ashtu nën presion për shkak të numrit të pacientëve me koronavirus, janë përballur edhe me numrin e lartë të atyre që kanë rrëshqitur në akull, duke thyer edhe eshtrat.

Gazeta “El Mundo” ka raportuar se 1.200 fraktura janë evidentuar të hënën në spitalet e rajonit të Madridit, të shkaktuara nga aksidentet në akull – apo rreth pesëdhjetë raste me fraktura në një orë.

Thirrjet emergjente për ndihmë pas vërshimeve kanë shtyrë qeverinë e Madridit që t’u bëjë thirrje pleqve të mos dalin nga shtëpia.

Ndërprerja e energjisë elektrike ka shkaktuar anulimin e linjës së shpejtë hekurudhore ndërmjet Madridit dhe Barcelonës, por tashmë është rikthyer ky shërbim transporti, raportojnë mediat spanjolle.

Shumë linja lokale trenash janë shtrënguar të anulojnë linjat shkaku i problemeve të lidhura me acarin. Gazeta spanjolle “El Pais” ka shkruar se rreziku që përbëjnë kushtet e akullta të dëborës ka bërë që të quhet “titanike” përpjekja për të mirëmbajtur rrugët të sigurta. Spanja ka nxjerrë 1.300 makina të llojeve dhe madhësive të ndryshme për pastrimin e dëborës në 24 orët e fundit në 12 mijë kilometra rrugë në mbarë vendin. Në aeroportin e Madridit, “Barajas”, janë anuluar fluturimet, por ngadalë kanë nisur të kthehen linjat fluturuese, megjithëse me vonesa të gjata.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme