Spanja zyrtarizon skuadrën e botërorit: Tetë të Barçës, asnjë i Realit

Prishtinë | 25 Maj 2026 | 15:13 | Nga Ekonomia Online

Kombëtarja e Spanjës ka marrë një vendim historik në prag të Kupës së Botës 2026, duke surprizuar opinionin sportiv në mbarë botën. Për herë të parë në histori, “La Roja” do të marrë pjesë në një Botëror pa asnjë futbollist të Real Madridit në listën përfundimtare të grumbulluar nga trajneri Luis de la Fuente.

Ky vendim ka ndezur debate të shumta në mediat spanjolle dhe mes tifozëve, sidomos për shkak të mungesës së emrave të njohur nga madrilenët.

De la Fuente publikoi listën me 26 lojtarët që do të përfaqësojnë Spanjën në Botërorin 2026, ku bie në sy dominimi i futbollistëve të Barcelonës.

Plot tetë lojtarë të klubit katalanas janë pjesë e skuadrës: Lamine Yamal, Pedri, Gavi, Pau Cubarsi, Dani Olmo, Ferran Torres, Eric Garcia dhe portieri Joan Garcia.

Lista Spanja Kampionati Boteror

Në anën tjetër, mungesa totale e lojtarëve të Real Madridit ka shkaktuar reagime të shumta, veçanërisht pas lënies jashtë të emrave si Dani Carvajal dhe Dean Huijsen. Megjithatë, trajneri spanjoll theksoi se përzgjedhjet janë bërë vetëm mbi bazën e formës aktuale dhe gatishmërisë fizike të lojtarëve, pa marrë parasysh klubin ku aktivizohen.

Spanja konsiderohet një nga favoritët kryesorë për triumfin në Botërorin 2026, sidomos pas suksesit në Euro 2024. Brezi i ri i talentuar i Barcelonës pritet të jetë baza kryesore mbi të cilën “Furia e kuqe” do të synojë suksesin në skenën më të madhe të futbollit botëror.

Të ngjashme