Dy jugkoreanë fitojnë rastet në gjykatë, pasi Ronaldo nuk luajti në miqësore

Prishtinë | 05 Shk 2020 | 12:28 | Nga Ekonomia Online

Një gjykatë jugkoreane i ka thënë organizatorit lokal të ndeshjes të kompensojë dy tifozë, pasi Cristiano Ronaldo nuk kishte luajtur për Juventusin në një miqësore, ndonëse ishte reklamuar se do të luajë.

Tifozëve u ishte thënë se ylli portugez do të luante së paku 45 minuta kundër një skuadre të yjeve të K-League në korrik të vitit të kaluar, mirëpo portugezi nuk u aktivizua fare dhe qëndroi tërë ndeshjen në bankinë.

Organizatorët nga agjencia “The Fasta” janë urdhëruar t’u paguajnë nga 240 funte (283 euro) të dy tifozëve. Në dëmshpërblim përfshihen 194 funte (229 euro) për “vuajtjen mentale” që ka shkaktuar vendimi, ka thënë avokati Kim Min-ki, shkruan Koha Ditore.

Kim, që ka bërë padinë, ka thënë: “Fasta ka mashtruar dhe ka përdorur tifozët e Cristiano Ronaldos për përfitime të veta. Për tifozët e Ronaldos, kjo është ekuivalente si të humbasin një lojtar që kanë admiruar dhe kanë përkrahur gjithë jetën”.

Kim po ashtu i ka thënë agjencisë Reuters se po përfaqëson edhe 87 paditës tjerë në raste të tjera të lidhura me ndeshjen, që kishte përfunduar 3:3.

Plot 65 mijë bileta për ndeshjen ishin shitur brenda tre minutave, ku Ronaldo 34-vjeçar ishte përdorur në reklama të ndeshjes.

Tifozët u irrituan dhe kërkonin që ai të ngrihej nga bankina, madje edhe duke thirrur emrin e rivalit të tij Lionel Messi.

K League po ashtu kishte shkruar një letër proteste në drejtim të Juventusit për shkelje të kontratës. K League kishte kërkuar kërkim falje nga Juventusi për rastin. Por Juventusi kishte mbrojtur vendimin.

“Çdo lojtar prezent në Kore luajti ndeshjen, me përjashtim të njërit: Cristiano Ronaldo, që me këshilla të stafit mjekësor duhej të pushonte për shkak të një lodhjeje muskulore pas ndeshjes në Nanjing kundër Interit që ishte vetëm 48 orë para ndeshjes në Seul. Për këtë arsye, refuzojmë akuzën tuaj për sjellje të papërgjegjshme, arrogancë, injorim të tifozëve, të cilët ne gjithmonë i nderojmë”, u kishte shkruar presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli, autoriteteve koreane të futbollit. “Juventusi erdhi në orën 16:30. Nuk kishte kohë për pushim apo për një aktivitet të rregullt para ndeshjes. Asnjë eskortë e policisë nuk iu ofrua autobusit të Juventusit. Trafiku ishte shumë i ngarkuar dhe autobusi mbeti në komunikacion për afro dy orë, diçka që nuk ka ndodhur në ndonjë vend tjetër nëpër botë”.
Organizatori i ndeshjes nuk ka komentuar në lidhje me rastin.

Të ngjashme