Eroll Salihu nis mbledhjen e nënshkrimeve për postin e Kryetarit të FFK-së

Prishtinë | 07 Qer 2020 | 15:33 | Nga Ekonomia Online

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve për postin e Kryetarit të FFK’së.

Pasi Gjykata e Apelit kohë më parë e konfirmoi dënimin prej 9 muaj burg efektiv të Kryetarit momental të FFK’së, Agim Ademit, atij ditë më parë i është kërkuar që më 18 qershor të paraqitet në qendrën e paraburgimit në Prishtinë, për të filluar mbajtjen e dënimit me burg.

Duke parë situatën, bashkëpunëtori i Agim Ademit, Eroll Salihu ka filluar me mbledhjen e nënshkrimeve për të shpallur kandidaturën për postin e Kryetarit në shtëpinë e futbollit kosovar, mëson Gazeta Metro.

Momentalisht atij i është dhënë mbështetja me nënshkrime nga dy delegat nga një regjion, ani pse kjo është në kundërshtim të plotë me veprimet e marrura më herët nga Salihu dhe Komiteti Ekzekutiv i FFK’së ndaj ish zevendës sekretarit, Arianit Ahmetit.

Arianit Ahmeti kohë më parë ishte larguar nga puna me arsyetimin se ka shkelur statutin e FFK’së, kur ai kishte shpallur publikisht kandidaturën e tij për postin e Kryetarit të FFK’së, duke shtuar se ai ka shpallur kanditaturën pa u shpallur zgjedhjet.

Tani pritet që Komiteti Ekzekutiv i FFK’së dhe Komisioni Disiplinor të marrin vendimin e njëjtë edhe ndaj Eroll Salihut, përndryshe ai mund të ndjeket penalisht për keqpërdorim të pozitës zyrtare, neni 413 i Kodit Penal të Kosovës, vepër e dënueshme nga 1 deri në 8 vite me burg.

Të ngjashme