Federata e Danimarkës tregon më të rejat rreth Eriksenit

Prishtinë | 13 Qer 2021 | 11:14 | Nga Ekonomia Online

Federata e Futbollit e Danimarkës ka treguar sot për gjendjen e Christian Eriksenit, pas ngjarjes së djeshme ku danezi u shtri pa ndjenja në fushë, duke tronditur të gjithë.

Federata e Danimarkës theksoi se gjendja e Eriksenit është stabile dhe po vazhdon të trajtohet në spital

“Lajmet më të fundit: Këtë mëngjes kemi biseduar me Christian Eriksenin, i cili dërgoi mirënjohjet e tij te bashkëlojtarët. Gjendja e tij është stabile dhe po vazhdon të qëndrojë në spital për ekzaminimet e mëtutjeshme. Ekipi dhe stafi i kombëtares ka pranuar ndihma në këtë krizë dhe do të vazhdojë të jetë aty për njëri-tjetrin pas incidentit të djeshëm” – thuhej në njoftimin e Federatës Daneze të Futbollit.

Më tutje, ata falënderuan të gjithë për mesazhet e tyre për rastin e djeshëm.

“Ne do të donim të falënderonim të gjithë për përshëndetjet e tyre dhe lutjet për Christian Eriksenin nga fansat, lojtarërt, Familjet Mbretërore të Danimarkës dhe Anglisë, Federatat e Futbollit, klubet, etj. Ne inkurajojmë të gjithë të dërgojnë mirënjohje e tyre për Federatën Daneze të Futbollit, ndërsa ne do të sigurohemi që të gjitha të përcillen te Erikseni dhe familja e tij” – thuhej në fund në njoftim.

Kujtojmë se dje gjatë ndeshjes Danimarkë – Finlandë në Euro 2020, Christian Eriksen u rrëzua në fushë pa ndjenja, teksa raportohet se pësoi sulm në zemër.

Stafi mjekësor ia doli ta rikthente në jetë danezin, i cili më pas u përcoll menjëherë për në spital, ku gjendja iu stabilizua.

Të ngjashme