Gosens: E kemi nënvlerësuar virusin

Prishtinë | 16 Mar 2020 | 13:22 | Nga Ekonomia Online

Mbrojtësi anësor i Atalantas, Robin Gosens ka thënë se është nënvlerësuar koronavirusi dhe se tash po jeton në një “qytet fantazmë” në Bergamo.

Atalanta ka bërë befasi të madhe këtë stinor duke arritur në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, pasi mposhti Valencian me rezultat të përgjithshëm 8:4 pas dy ndeshjeve.

Por, pas natës historike në Mestalla në ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve, çdo gjë ka ndaluar dhe Gosens thotë se tash po jetohet në frikë. Tre lojtarë të Valencias dhe dy anëtarë të stafit të klubit spanjoll janë testuar pozitiv me koronavirus. Skuadra e Atalantas është në karantinë tash.

“Nuk e kuptoj një gjë: pse na lejuan të luajmë pa tifozë, por ishin gjithë ata tifozë jashtë stadiumeve në qytetet evropiane për ndeshjet e Ligës së Kampionëve? Nuk ka asnjë kuptim”, ka thënë Gosens për “La Gazzetta dello Sport”, transmeton Koha.net. “Kam ndjerë frikë kur shpjeguan se rajoni i Lombardisë është qendër e çdo gjëje, dhe se askund tjetër në Evropë nuk ka pasur aq shumë raste. Atë ditë i thash vetes: ‘Në rregull, në fillim ishte në Wuhan, tash është këtu. Tash jemi në rrezik’. Bergamo është si qytet fantazmë tash”.

Mbrojtësi i Juventusit, Daniele Rugani ishte lojtari i parë në Serie A që rezultoi pozitiv me koronavirus. Por, numri është rritur në dhjetë tashmë. Gjashtë nga ta janë nga klubi i Sampdorias.

“Ne të gjithë kemi nënvlerësuar COVID-19. Unë isha i pari. Unë i kam thënë vetes se nuk është asgjë më tepër se një grip. Dola jashtë, në restauronte, u takova me shoqëri. Ne nuk dinim për armikun dhe kapacitetin e tij. Ne e kuptuam vetëm kur patëm shumë raste”, ka thënë Gosens.

Të ngjashme