Haxhiu tregon se si Vokrri erdhi që të udhëheqë Kosovën drejt pranimit në UEFA dhe FIFA

Prishtinë | 03 Maj 2020 | 16:51 | Nga Ekonomia Online

3 maj 2016 – padyshim që është datë historike për futbollin e Kosovës. Në këtë ditë para katër viteve, Federata e Futbollit e Kosovës u bë anëtarja e 55’të në UEFA.

Në Kongresin e UEFA’s më 3 maj 2016 të mbajtur në Budapest të Hungarisë, Kosova u bë anëtare me të drejta të plota në shtëpinë e futbollit europian, me 28 vota pro, 24 kundër dhe 2 të pavlefshme.

Ish bashkëpunëtori i legjendës, Fadil Vokrrit, Bekim Haxhiu ka rrëfyer momentin se si Vokrri ishte kthyer nga Franca për t’u bërë Kryetar i FFK’së dhe për të udhëhequr Kosovën drejt pranimit në UEFA e FIFA. Fadil Vokrri ishte zgjedhur Kryetar i FFK’së më 16 shkurt të vitit 2008.

Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare, Haxhiu gjithashtu ka treguar se shumica prej tyre kishin menduar se Kosova dështoi në Kongresin e Budapestit, por në fund ndodhi e kundërta.

Ish nënkryetari i FFK’së, Bekim Haxhiu, momentin kur Kosova ishte pranuar me të drejta të plota në UEFA e cilëson si një emocion të papërshkruar, pothuajse i njëjtë me ato ndjesi çlirimi në qershor të vitit 1999.

Postimi i plotë nga Bekim Haxhiu:

“Pranimi i FFK-së në UEFA me 3 Maj të vitit 2016 është njëra nga datat më të rëndësishme të futbollit të Kosovës.
Legjenda Fadil Vokrri ishte zgjedhur kryetar i FFK-së më 16.02.2008. Nga ajo datë kemi filluar punën së bashku në Federatën e Futbollit të Kosovës. Pas 8 viteve punë dhe përkushtim të prirë nga legjenda Fadil Vokrri , FFK u pranua në UEFA në Kongresin që u mbajt në Budapest me 3 Maj 2016.
Krenar me punën e legjendës Fadil Vokrri dhe që isha pjesë e ekipit të tij.

Për ata që kanë dëshirë të dinë historitë, po e bëj një rikujtues të vogël se si erdhi që Vokrri të udhëheqë Kosovën drejt pranimit në UEFA dhe FIFA.
Në nëntor të 2007 -së, unë së bashku me disa bashkëpuntorë të futbollit si : Hysen Sadiku, Latif Gashi, Abedin Zeka, Agim Binaku, Sahit Kelmendi e Bajram Jashari filluam procesin e kthimit të Fadil Vokrrit në krye të FFK-së.
Me Hysin ishim në restaurant “Collection” në Prishtinë kur telefonuam Fadil Vokrrin i cili ndodhej në Francë. Biseda ishte përmbajtësore dhe ndoshta hapi vendimtar që vendosi rrugën e suksesit të futbollit tonë. Në atë bisedë telefonike iu drejtova Fadil Vokrrit, me fjalët: “Kryetar, futbolli i Kosovës ka nevojë për ty, Ti duhet me udhëheq me Federaten e Futbollit”.
Fjalët e tij ishin: ” A e keni me të vërtetë ?Po, i thash, ne udhëheqësit e klubeve të futbollit duam që Ti të na prijsh në procesin e antarsimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA.
A ka pengesa nga brenda FFK-së? më pyeti ai.
I thash që, pengesa mund të ketë, por megjithatë ne jemi të vendosur që Ti të bëhesh kyetar i FFK-së.
Vokrri me tha : Atëherë, më prisni, për tri ditë vij në Kosovë. Dhe, ashtu ndodhi pas tri ditësh ai erdhi.
Përderisa, Fadil Vokrri arriti nga Franca në Kosovë, ne mblodhem 90% të nënshkrimeve të delegatëve të Kuvendit të FFK-së. Në mbeshtetje të kandidaturës së Vokrrit u rreshtuan të gjitha regjionet e futbollit të Kosovës.
Me 16 shkurt 2008, Fadil Vokrri u zgjodh kryetar i FFK-së. Tetë vite me pas u pranuam në UEFA dhe në FIFA.
Në Budapest ishte dramë e vërtetë, pasi që nuk u votuan ndryshimet statutare në Kuvendin UEFA-së, kishte një dëshprim në mesin tonë, ngase shumica mendonin se dështuam. Në atë moment e kam thirrë Fadil Vokrrin në telefon dhe i kam thënë: “kryetar nuk ka përfunduar asgjë, Kosova është në rend të ditës për votim. Pranimi i Kosovës do të hudhet në votim, puno sa të mundesh brenda në sallë”.
Isha i bindur se do të pranoheshim, dhe kisha besim të plotë në përfaqësimin e Fadilit dhe Erollit në Kuvendin e UEFA-së në Budapest dhe mbështetësit tanë nga federatat mike.
Lajmi i pranimit të Kosovës në UEFA ishte një emocion i papërshkruar, pothuajse i njëjtë me ato ndjesi çlirimi që patëm në qershor të vitit 1999.”. 

Të ngjashme