Ish-lojtari i Barcelonës: Nuk do të befasohesha nëse Neymari shkon në Madrid

Prishtinë | 02 Qer 2018 | 11:13 | Nga

​Shkuarja e Neymarit në Real Madrid nuk do të ishte befasi për ish mesfushorin e Barcelonës, Gaizka Mendieta.

Ylli Brazilian, Neymar, ka kohë që lidhet me një kalim te fituesi i Champions League, pas vetëm një sezoni te Paris Saint-Germain, për të cilin klub la Barcelonën verën e kaluar për një shumë rekord, 222 milionë euro.

Neymari i ka quajtur spekulimet “të pakuptimta” teksa Zinedine Zidane, para se të largohet nga Real Madridi, kishte thënë se sulmuesi brazilian mund të shkojë shumë mirë me Cristiano Ronaldon në “Santiago Bernabeu”, edhe pse tashmë nuk dihet asgjë as për fatin e 33 vjeçarit portugez, që mund të largohet pas nëntë sezoneve në Madrid.

“Nuk do të befasohesha nëse Neymari nënshkruan për Real Madridin”, tha Mendieta.

“Ai është lojtar që mund ta shoh Real Madridin si një sfidë të re në karrierë dhe nëse ndodh, ai do të bëjë gjithçka që është e mundur që të përfundojë atje. Insistoj se nuk do të befasohesha nëse ai e bën këtë”.

Ai foli edhe për kalimin e Figos vite më parë nga Barça në Real, por mendon se rasti i Neymar është krejtësisht ndryshe.

“Mendoj se nënshkrimi i Figos me Real Madridin ishte i vështirë për tifozët e Barcelonës, më shumë se që mund të jetë rasti i Neymarit. Ai ishte kapiten, lojtar shumë më i rëndësishëm për Barcelonën. Neymari shkoi në PSG fillimisht”, u shpreh Mendieta.

“Do të shohim nëse shkon në Madrid, të shohim nëse edhe Ronaldo është atje. Neymar është lojtar i shkëlqyer, por kur kthen kohën pas dhe mendon mënyrën se si Figo shkoi, do të thotë shumë. Nuk mendoj se do të shohim diçka si ai rast për shumë e shumë vite”, theksoi mes tjerash Mendieta, që ka luajtur edhe për Valencian, Lazion, Middlesbrough e klube tjera.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme