Kumbulla e dëshpëron Rejën, presidenti i Veronës flet për të ardhmen e talentit shqiptar

Prishtinë | 29 Gus 2020 | 15:08 | Nga Ekonomia Online

Ka qenë duke dhënë konferencën për shtyp para gazetarëve, kur Edi Reja ka marrë lajmin e keq se Marash Kumbulla është dëmtuar.

Ai nuk mund të vijë në kombëtare për dy kualikueset e shtatorit, në Ligën e Kombeve, ndaj Bjellorusisë dhe Lituanisë.

“Tani më njoftuan se është dëmtuar Kumbulla. Dje ishte mirë, sot u dëmtua. Çfarë mund të bësh në një situatë të tillë? Edhe Laçi ka probleme. Ndoji kishte dalë pozitiv, teksa ishte duke drekuar”.

Ndërkohë, drejtori sportiv i Lazio, Igli Tare, ka bërë të ditur se bardhekaltrit janë tërhequr nga gara për 20-vjeçarin shqiptar të Verona.

Por, mënyrat e merkatos janë të pafundme.

Presidenti i Hellas Verona, Maurizio Setti, dha një intervistë për “TuttoMercatoWeb”, ku adresoi çështjen e shitjes së të riut shqiptar.

“Ka shumë negociata dhe interesime për Kumbullën, le të shohim se çfarë do të ndodhë. Ta shohësh atë të përfundojë në një klub të shkëlqyeshëm do të ishte një mundësi e madhe për djaloshin, por nëse qëndron me ne, nuk është problem. Ai është një lojtar i shkëlqyeshëm dhe jemi të lumtur ta mbajmë te Verona”, deklaroi ai.

Të ngjashme