Kupa e Botës arrin në Moskë

Prishtinë | 04 Qer 2018 | 13:58 | Nga

Kur kanë mbetur 11 ditë deri te ndeshja e parë në Kupën e Botës në stadiumin Luzhniki në Moskë, trofeu më në fund ka arritur në qytet.

Me entuziazëm të madh, turma e njerëzve pa derisa legjenda e futbollit gjerman Lothar Matthaus, kryebashkiaku i Moskës, Sergei Soyanin dhe ambasadori i Botërorit të futbollit, Liasan Utiasheva, zbuluan trofeun e artë të shumëkërkuar.

Derisa trofeu ishte i vendosur në një çantë të zezë, Matthaus, që fitoi Kupën e Botës me Gjermaninë në vitin 1990 në Itali, nuk e la turmën e tifozëve të presin gjatë derisa mbajti trofeun lart para tyre.

Pas viteve përgatitje, Kupa e Botës tash është vetëm pak ditë larg dhe nis më 14 qershor, kur Rusia përballet me Arabinë Saudite në “Luzhniki”, shkruan “Daily Mail”.

Derisa Matthaus është një nga të paktët me fat që kanë mbajtur trofeun, mbetet të shihet nëse bashkëkombasit e tij te Gjermania do të jenë në gjendje të mbrojnë me sukses titullin e fituar në Brazil katër vjet më parë.

Me ndihmën e një përkthyesi, fituesi i Botërorit 1990, Matthaus iu adresua turmës në gjuhën gjermane duke folur për trofeun dhe se çfarë rëndësie ka të fitosh këtë turne të madh.

“Jam shumë krenar që mund t’iu prezantoj juve këtë trofe të veçantë këtu në Moskë”, ka thënë Matthaus. “Kupa e Botës është ngjarje e veçantë nëpër botë. Nga Amerika e Jugut në Afrikë e Skandinavi, lojtarët do të mblidhen në Rusi. Nga 14 qershori deri më 15 korrik, Rusia do të jetë qendra e botës”, ka thënë Matthaus.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme