Ngritja dhe rënia e tenistit të talentuar që u përfshi në kurdisje

Prishtinë | 06 Shk 2019 | 15:09 | Nga Ekonomia Online

Karim Hossam ishte një nga tenistët më të mirë në botë në grupmoshat e reja. Ai dukej i gatshëm për të luajtur në turne të mëdhenj dhe të matej me lojtarët më të mirë. Por në vend se të bënte këtë u përfshi në një prej zinxhirëve më të mëdhenj të kurdisjes së meçeve që është zbuluar në këtë sport.

Ishte brenda një dhome modeste të një hoteli në Tunizi në qershor të vitit 2017, ku karriera e tenisit e Karim Hossamit nisi të shembej. Përballë 24-vjeçarit ishin dy ish-detektivë të policisë të Britanisë. Ata ishin hetues të Njësitit të Integritetit në Tenis (TIU), që hetonin korrupsionin brenda lojës, dhe ata dyshonin se Karimi po i kurdiste meçet, përcjell Koha Ditore shkrimin e BBC.

Në një seri të intervistave gjatë gjashtë muajve ai ka treguar se si katër vjet më herët është bërë pjesë e një prej zinxhirëve më të mëdhenj të kurdisjes së meçeve në tenis.

Turneu “Futures” i ITF-së në Sharm el-Sheikh është dukshëm larg shkëlqimit, parave dhe tifozërisë në turnetë Grand Slam si Wimbledon apo Roland Garros. Duke luajtur në fushën e një klubi të vogël të tenisit pranë një qendre tregtare, ka pak shikues dhe fondi i shpërblimeve për gjithë turneun është 15 mijë dollarë, rreth një çerek i shumës që merr humbësi në raundin e parë të Grand Slamit Wimbledon.

Karim Hossam kishte fituar këtë turne katër herë, kur u paraqit sërish për të garuar në të në vitin 2013. Ende vetëm 20-vjeçar atëbotë, egjiptiani ishte shpresë e madhe për tenisin afrikano-verior.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme