Organizatorët e “Tokio 2020” të shqetësuar me përhapjen e koronavirusit

Prishtinë | 06 Shk 2020 | 08:30 | Nga Ekonomia Online

Organizatorët e Lojërave Olimpike janë “seriozisht të shqetësuar” nga përhapja e koronavirusit dhe ndikimi që do të ketë në Lojërat Olimpike në Tokio këtë verë.

Disa ngjarje kualifikuese janë prekur tashmë për shkak të virusit, raporton BBC.

Shefi-ekzekutiv i Komitetit Organizativ të “Tokio 2020”, Toshiro Muto, shpreson se virusi do të zhduket sa më shpejt të jetë e mundur, transmeton Koha Ditore.

“Ne jemi shumë të shqetësuar se përhapja e virusit do të derdhë ujë të ftohtë në vrullin për Lojërat Olimpike”, ka thënë Muto.
Më tepër se 24.300 raste me virus janë regjistruar në Kinë dhe 490 persona kanë humbur jetën, ku dhjetë raste po ashtu janë konfirmuar edhe në një anije japoneze të izoluar tashmë.

Dy persona kanë vdekur jashtë Kinës, një në Hong-Kong e një në Filipine.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur emergjencë botërore shëndetësore, por ka thënë se ende nuk përmban nivelin e përhapjes në mbarë botën.

Zyrtarët qeveritarë japonezë, përfshirë edhe kryeministrin Shinzo Abe, thonë se do të punojnë fort për të minimizuar ndikimin te Lojërat Olimpike, që do të nisin më 24 korrik.

Saburo Kawabuchi, kryebashkiaku i Fshatit të Sportistëve, ku pritet të jenë së paku 11 mijë sportistë, shpreson për Lojëra Olimpike të mira.

“Ne do të bëjmë më të mirën për t’i mbrojtur sportistët dhe për të lejuar ata të japin më të mirën në gara”, ka thënë Kawabuchi.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka thënë se është në kontakt me OBSH-në dhe me ekspertët e vet mjekësorë dhe ka besim se autoritetet relevante do t’i marrin të gjitha masat e nevojshme për t’iu adresuar situatës.

“Kundërmasat ndaj një sëmundjeje infektuese përbëjnë një pjesë të rëndësishme të planeve të ‘Tokio 2020’ për të organizuar lojëra të sigurta. ‘Tokio 2020’ do të vazhdojë të bashkëpunojë me të gjitha organizatat relevante që po monitorojnë me kujdes gjendjen dhe do të rishikohen kundërmasat që mund të jenë të nevojshme me gjitha organizatat. Përgatitjet për ‘Tokio 2020’ po vazhdojnë sipas planit”, ka thënë zëdhënësi i IOC-së.

Një numër i ngjarjeve sportive në Kinë janë anuluar apo shtyrë, përfshirë edhe Botërorin e atletikës në palestër, stinori i futbollit në Kinë dhe gara e gofit në ishullin Hainan.
Disa vende kanë vendosur kufizime për sportistët kinezë, mirëpo Federata Botërore e Badmintonit të mërkurën ka thënë se nuk do të ndodhë kjo në ngjarjet e saj botërore.
Po ashtu, në dyshim është edhe gara e Shpërblimit të Madh të Kinës në Formula 1 që pritet të mbahet në Shanghai.

Të ngjashme