Për shumë futbollistë të Kosovës, viti 2020 ende nuk ka nisur

Prishtinë | 15 Maj 2020 | 08:50 | Nga Ekonomia Online

Arbër Zeneli ka pritur gjatë për t’u kthyer në fushë. Gati nëntë muaj pasi këputi ligamentet e gjurit të djathtë, sulmuesi anësor i ekipit nga Franca, Stade de Reims, u rikthye në fund të muajit shkurt dhe luajti pesë minutat e fundit për klubin e tij, në ndeshjen kampionale kundër Monacos (1:1).

Janë pesë minutat e parë të tij të zhvilluar gjatë këtij viti në elitën e futbollit të Francës, derisa ende nuk e ka djersitur për asnjë minutë fanellën e përfaqësueses së Kosovës. Zeneli u lëndua rëndë në qershorin e vitit të kaluar në ndeshjen që “Dardanët” e zhvilluan kundër Malit të Zi në Podgoricë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian që është shtyrë për vitin 2021 shkaku i përhapjes së pandemisë COVID-19.

Futbollisti më i mirë në Kosovë për vitin 2018 i shpallur nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), për “Kohën Ditore” ka thënë se ka qenë gati t’i tregojë vlerat e tij qysh tash, si me klubin francez ashtu edhe me Kosovën.

Por, kampionati i Francës tashmë është anuluar për shkak të pandemisë dhe kampion është shpallur gjiganti, Paris Saint-Germain. Si Zeneli, janë edhe dhjetë futbollistë të tjerë të përfaqësueses së Kosovës, të cilët ose kanë luajtur disa minuta ose nuk kanë luajtur fare për klubet e tyre deri tash në vitin 2020. “Më ka munguar shumë kjo periudhë pa luajtur futboll. Lëndimin e kam kaluar krejtësisht dhe mezi pres të rifilloj me lojtarët, si në klub ashtu edhe në Kombëtaren e Kosovës. Më kanë munguar shumë ndeshjet, por unë do të mundohem ta harroj të kaluarën time për t’u fokusuar për të ardhmen. Nuk do t’i zhgënjej babanë tim e as popullin e Kosovës. Kam shumë besim se mund ta realizojmë ëndrrën tonë që kemi dhe me Kosovën të kualifikohemi në Evropian”, ka thënë Zeneli.

Zeneli pritet që kthimin e tij të madh të këtij viti ta bëjë me Kosovën kur në gjysmëfinale të plejofit të Ligës së Kombeve pritet të luajë në Shkup kundër Maqedonisë së Veriut në muajin tetor ose nëntor.

“Unë e kam lënë prapa lëndimin për të arritur sa më shumë në karrierë. Kam besim në vete dhe mund t’ia dal. Shtyrja e ndeshjes është domethënëse për ne kosovarët. Është mirë se kur do të luajmë, e di që stadiumi i Shkupit do të jetë më shumë me shikues shqiptarë dhe ‘Dardanët’ që janë mbështetje e madhe për Kombëtaren e Kosovës”, është shprehur Zeneli.

Edhe në Holandë, kampionat ku paraqitet reprezentuesi i Kosovës, Ibrahim Dresheviq, që është te Heerenveeni, është anuluar. E po ashtu edhe kampionati i Belgjikës, ku te Standard Liege aktivizohet Mërgim Vojvoda.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme