Përmirësohet gjendja e trajnerit që pësoi sulm në zemër gjatë ndeshjes

Prishtinë | 22 Kor 2019 | 19:52 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Dinamo Bukureshtit, Eugen Neagoe, ka pësuar sulm në zemër gjatë një ndeshjeje të klubit të tij kundër Universitatea Craiovas në ligën e Rumanisë të dielën, por më vonë gjendja e tij është stabilizuar në spital.

Kampioni i 18-të fishtë i Rumanisë, ka njoftuar se 51-vjeçari është dërguar në spitalin Floreasca me autoambulancë dhe është në gjendje të komunikojë.

“Mjekët kanë thënë se gjendja e Eugen Neagoes është stabile momentalisht”, është thënë në komunikatën e Dinamos të hënën.

Mediumet lokale kanë raportuar se fjalët e para që Neagoe u tha mjekëve në spital ishin: “Sa është rezultati?”, shkruan Reuters.

Dinamo u mposht 2:0 në shtëpi dhe mbetet pa fitore pas dy xhirove të para. Ish-sulmuesi Neagoe vazhdimisht është kritikuar nga tifozët ultras të Dinamos, që kur ka marrë drejtimin e skuadrës muajin e kaluar. Tifozët duan që ai të japë dorëheqjen, pasi ishin kundër shkarkimit të Mircea Rednic.

Sipas raportimeve në mediumet rumune, Neagoe “nuk ka mundur të hajë për dy ditë, ka pirë shumë kafe dhe ka tymosur duhan si i çmendur” për shkak të kritikave nga tifozët.

“Ne ishim shumë pranë një tragjedie”, ka thënë kryetari i Dinamos, ish-portieri i Rumanisë, Florin Prunea. “Nuk mund ta kuptoj nivelin e urrejtjes në këtë klub. Nuk mund ta besoj këtë! është e pamundur, kjo mund të shpërthejë”.

Reprezentuesi i Kamerunit, Patrick Ekeng, kishte ndërruar jetë duke luajtur me fanellën e Dinamos, pasi kolapsoi në fushë gjatë ndeshjes kundër Viitorulit në vitin 2016. Një hetim për vdekjen e Ekengut zbuloi se kompania e ambulancës që e dërgoi atë në spital kishte pajisje të dështuara dhe po ashtu medikamente me afat të skaduar.

Dinamo është një prej dy skuadrave më të suksesshme në Rumani përkrah rivalit të qytetit FCSB, që më herët njihej si Steaua Bukuresht.

Të ngjashme