Reali përballë Contes, trajnerit që mund të kishte sjellë ndryshime të dhimbshme

Prishtinë | 03 Nën 2020 | 08:35 | Nga Ekonomia Online

Antonio Conte ndoshta do të ishte në krye të Real Madridit për ndeshjen e së martës mbrëma në Ligën e Kampionëve kundër Interit, po të mos ishin katër fjalët e thëna nga kapiteni Sergio Ramos, në tetor të vitit 2018.

“Respekti fitohet, nuk imponohet”, tha Ramos, kur u pyet në lidhje me mundësinë që një trajner i ashpër si Conte të merrte drejtimin e Realit.

Përgjigjja e tij u konsiderua si një refuzim i metodave të Contes dhe një qortim i idesë se zhveshtorja e Real Madridit kishte nevojë për një lëvizje të tillë. Deri në atë moment Conte, tani trajner i Interit, kishte qenë favoriti kryesor për të zëvendësuar Julen Lopeteguin, i cili ishte shkarkuar dhjetë ditë pas humbjes së thellë në “El Clasico” nga Barcelona (5:1).

Në vend të kësaj të hënën, një ditë pasi Ramos foli me gazetarët në “Camp Nou”, marrëveshja u prish mes Realit dhe Contes. Santiago Solari u emërua trajner dhe qëndroi në këtë post më pak se pesë muaj para se Zinedine Zidane të kthehej në mars në një klub të lodhur nga trazirat dhe krizat. Reagimi ndaj emërimit të Contes do të ishte tjetër sikur mos të ishin komentet e Ramosit që prekën presidentin Florentino Perez.

“Puna në atë kohë ishte një patate e nxehtë”, tha Conte për “Gazzetta dello Sport” disa muaj më vonë. “Kishte një mundësi por nuk më pëlqen të filloj në mes të sezonit, preferoj të punoj nga fillimi”.

Edhe nëse Conte beson se vendimi ishte më shumë i tij sesa i Realit, nuk kishte dyshim se ai u pa si diçka për të cilin ekipi kishte nevojë, por nuk do ta pranonte një gjë të tillë. Intensiteti, disiplina, etika e punës së Contes, vëmendja ndaj detajeve dhe qasja e palodhur u panë si të papranueshme në ekipin e Realit me yje veteranë, që nuk do t’u rezistonin ideve të reja të një trajneri të paepur.

Dy vjet më vonë Reali i Zidanet përballet me Interin e Contes, kurse madrilenët janë ende në pritje të revolucionit që Conte mund të kishte filluar. Futja e cilësisë shtesë për të nxitur një epokë të re dhe lojtarët e rinj për të adoptuar një stil më modern janë ende në agjendë nëse Reali dëshiron të rimarrë epërsinë në Evropë.

Askush nuk mund të argumentojë se emërimi i ri i Zidanet nuk ka qenë i suksesshëm. Ai pati në shënjestër La Ligan, një trofe që dëshironte të fitonte dhe arriti edicionin e shkuar duke lënë prapa Barcelonën. Tani Reali synon një tjetër Champions, që nuk duket mision i lehtë.

Dueli mes Realit dhe Interit zhvillohet të martën (sot) prej orës 21:00 dhe i takon Grupit B të Ligës së Kampionëve. Reali nuk e ka nisur mirë Championsin pasi në dy ndeshje të zhvilluara ka tubuar vetëm një pikë dhe zë vendin e fundit në grup. Pas humbjes nga Shakhtari erdhi menjëherë barazimi me Borussia Moenchengladbachun që do të thotë se Reali ndaj Interit nuk ka opsion tjetër veç fitores. Këtë e ka pranuar edhe Zidane, i cili në konferencën e mbajtur për shtyp këtë ndeshje e ka vlerësuar si një finale.

“Interi është një ekip i mirë, shumë fizik dhe luan një futboll të pëlqyer. Është një ndeshje tjetër e vështirë për ne. Është një finale. Janë tri pikë që duhet patjetër t’i marrim dhe pres që futbollistët të japin gjithçka nga vetja për të arritur synimin”, ka insistuar Zidane.

Reali në këtë ndeshje do të jetë pa mbrojtësin Eder Militao, i cili ka rezultuar me koronavirus pas testeve që ekipi i ka bërë para ndeshjes kurse të lënduar janë Dani Carvajal, Nacho Hernandez e Alvaro Odrizola.

Interit i kthehet qendërmbrojtësi Milan Skriniar që është shëruar nga koronavirusi pas më shumë se dy javëve në izolim. Ndërsa për shkak të një lëndimi muskulor do të mungojë sulmuesi Romelu Lukaku. Ngjashëm si Reali edhe Interi është në kërkim të fitores së parë këtë edicion në Ligën e Kampionëve. Ka tubuar dy pikë në po aq ndeshje të luajtura deri më tash duke barazuar me Shakhtarin e Gladbachun, ekipe që përballen mes vete prej orës 18:55 në Ukrainë. Interi në këtë ndeshje futet pas barazimit në Serie A kundër Parmas (2:2) derisa Real Madridi triumfoi bindshëm në La Liga ndaj Huescas (4:1).

“Nuk e shoh si finale por një ndeshje të fazës grupore që është e rëndësishme si për ne ashtu edhe për Realin. Duke pasur parasysh që të dyja ekipet kërkojmë të kalojmë me sukses fazën e grupeve, mund të them se edhe Interi do të futet në fushë me synimin për ta fituar ndeshjen sikurse Reali. Do të jetë shumë vështirë, sepse përballë kemi një ekip të fortë, por do të përpiqemi të bëjmë një paraqitje të mirë. Me barazim nuk do të pajtohemi dhe besoj në ekipin tim”, ka thënë trajneri i Interit, Antonio Conte. “Nuk dua të vajtoj ndonjë mungesë për shkak se jam i fokusuar për të arritur qëllimin tonë. Pas dy barazimeve, besoj se ka ardhur koha për fitore, por që nuk do të jetë e lehtë”.

Ndërkohë Ajaxi do të jetë pa 11 futbollistë, përfshirë këtu gjashtë të ekipit të parë, për ndeshjen në Danimarkë kundër Midtjyllandit. Lojtarët kanë rezultuar pozitivë në testimet e fundit për koronavirus. Shkaku i kësaj Ajaxi do t’i ketë në dispozicion vetëm 17 lojë për duelin që i takon Grupit D të Championsit dhe nis në orën 21:00. Pas dy ndeshjeve të zhvilluara, Ajaxi ka tubuar vetëm një pikë derisa Midtjyllandi është pa pikë.

Të ngjashme