Reece James i bashkohet iniciativës së Rashford kundër urisë duke dhuruar 10 mijë funte

Prishtinë | 29 Tet 2020 | 15:01 | Nga Ekonomia Online

Reece James ka dhuruar 10.000 funte (11.050 euro) për një organizate bamirëse ushqimi në Londër dhe ka për qëllim të grumbullojë edhe 100.000 funte të tjera (110.500 euro) deri në ditëlindjen e 21-të, të cilën e ka më 8 dhjetor.

Që nga viti 2019, mbrojtësi i Chelseat ka punuar me organizatën bamirëse, Felix Project, e cila shpërndan ushqim për njerëzit që nuk kanë në kryeqytetin anglez.

James po ndjek shembullin e bashkëkombësit të tij te Anglia, Marcus Rashford, i cili ka marrë iniciativë dhe e ka ngritur zërin për ta luftuar mungesën e ushqimit sidomos te fëmijët.

Futbollisti i Bluve ka ngritur edhe një faqe për të ndihmuar në misionin për shpërndarjen e 19 milionë racioneve ushqimore deri në fund të vitit 2020.

Në anën tjetër, fushata e Rashford ka marrë mbështetje të madhe publike dhe deri të mërkurën më shumë se një milion njerëz e kanë nënshkruar peticionin e tij për t’i dhënë fund varfërisë së ushqimit.

Të ngjashme