Ronaldo në formë impresive, po i afrohet Messit

Prishtinë | 20 Mar 2018 | 12:16 | Nga

Pas një starti të ngadalshëm dhe jo të zakonshëm këtë stinor, që nxiti pyetjet për jetëgjatësinë e tij, Cristiano Ronaldo është kthyer në jetë me një seri të golave dhe tash ia ka vënë syrin trofeut të golashënuesit më të mirë në La Ligan spanjolle.

Në një fundjavë për të mbajtur në mend për sulmuesit në Evropë, Ronaldo ndoqi rrugën e Mohamed Salahut të Liverpoolit dhe Mauro Icardit të Interit, duke shënuar katër gola në triumfin 6:3 të skuadrës së tij Real Madridit ndaj Gironas të dielën, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”.

“Askush nuk mund të krahasohet me mua. Askush nuk do të bëhet Cristiano Ronaldo”, ka thënë Ronaldo, fitues i pesëfishtë i “Topit të Artë”.

Me katër golat e shënuar ndaj Gironas, Ronaldo e ka kaluar Luis Suarezin e Barcelonës për t’u ngjitur në pozitën e dytë në garën për golashënuesin më të mirë në La Liga dhe është vetëm tre gola prapa Lionel Messit, rivalit të tij të dekadës së fundit, që kryeson renditjen me 25 gola. Për Ronaldon ishte “hat-tricku” i 50-të në karrierë.

“Cristiano është vetëm tre gola larg Messit dhe shpresoj që ai të bëhet golashënuesi më i mirë, pasi është shumë e rëndësishme për të”, ka thënë trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane.

Ronaldo është në formë shumë të mirë në ndeshjet e fundit, ku ka shënuar 21 gola në 11 ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Me 18 gola këtë vit, Ronaldo ka shënuar më tepër në ligë në vitin 2018, sesa që kanë shënuar Arsenali, Manchester Unitedi dhe Chelsea në Premier League dhe ka vetëm një gol më pak të shënuar sesa lideri i Serie A të Italisë, Juventusi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme