Sebastian Vettel po shikon përtej Ferrarit

Prishtinë | 13 Sht 2020 | 14:44 | Nga Ekonomia Online

Skuderia nuk fitoi kurrë një titull me të, dhe në pranverë Ferrari njoftoi se nuk do të rinovonte kontratën e tij, duke e zëvendësuar atë me pilotin spanjoll, Carlos Sainz Jr. Kur Sebastian Vettel u transferua nga skuderia e Red Bullit te Ferrari në vitin 2015, shpresa e tij ishte të shtonte edhe titullin e pestë të kampionit në Formula 1.

Por pesë vjet më vonë, Vetteli do të largohet nga skuderia italiane pa arritur asnjë sukses që e kishte imagjinuar pas një vendimi për largim që e zuri në befasi pilotin gjerman, shkruan “New York Times”, transmeton KOHA. Ferrari njoftoi në muajin maj se kishte “vendosur së bashku” me Vettelin për të mos e zgjatur kontratën e tij përtej fundit të këtij sezoni.

Mattia Binotto, drejtori i ekipit, tha në atë kohë se ishte një vendim që “të dyja palët mendojnë se është për të mirën e të gjithëve”. Sidoqoftë, Vetteli tha se ai kishte marrë një telefonatë nga Binotto pak para njoftimit të Ferrarit që e informonte atë se skuadra nuk po ia vazhdonte kontratën e tij.

“Ishte padyshim një surprizë për mua kur mora thirrjen nga Mattia, kur ai më tha se skuderia më nuk kishte qëllim për të vazhduar kontratën me mua”, pranoi Vetteli. “Asnjëherë nuk kemi hyrë në diskutime. Asnjëherë nuk kishte një ofertë në tryezë”.

Binotto shpjegoi se ndërsa Vetteli kishte qenë “zgjedhja e parë” e Ferrarit në dimër, përhapja e pandemisë së koronavirusit “kishte ndryshuar të gjithë botën, jo vetëm atë të moto-sporteve dhe Formulën 1”.

Futja e një limiti buxhetor që fillon për sezonin 2021 dhe vendimi për t’i shtyrë rregullat e reja të makinës deri në vitin 2022, gjithashtu luajtën një rol në vendimin e Ferrarit në lidhje me Vettelin.

“E gjithë situata ka ndryshuar”, pranoi Binotto.

Në fakt, te Ferrari kishin marrë në konsideratë planet për largimin e Vettelit gjatë sezonit të dimrit, kur filloi bisedimet me pilotin e skuderisë së McLarenit, Carlos Sainz Jr. Piloti spanjoll e firmosi kontratën dhe u prezantua te Ferrari vetëm dy ditë pasi u konfirmua largimi i Vettelit nga skuderia italiane.

Kampioni më i ri në histori të F1

Vetteli është kampioni më i ri botëror në historinë e Formula 1, duke fituar titullin e tij të parë në vitin 2010 kur ishte vetëm 23 vjeç. Këtë sukses, Vetteli e arriti si pilot i skuderisë së Red Bullit.

Në fakt, me bolidin e Red Bullit, Vetteli fitoi edhe tre tituj të tjerë të kampionit në F1, të fundit në vitin 2014 kur edhe u largua në drejtim të Ferrarit. Duke iu bashkuar Ferrarit, Vetteli shpresonte të imitonte idhullin e tij, Michael Schumacherin, i cili fitoi pesë tituj kampioni me këtë skuderi në fillim të viteve 2000.

Vetteli ishte në kërkim të titullit në vitin 2017 dhe 2018, por humbi në fund nga piloti britanik Lewis Hamilton i skuderisë së Mercedesit.

Të ngjashme