Skuadrat “e titullit” zgjedhin Antalyan për përgatitje

Prishtinë | 16 Jan 2020 | 08:20 | Nga Ekonomia Online

Pesë skuadrat që synojnë titullin mund të mos jenë të barabarta për nga cilësia në pjesën e dytë të stinorit. Por të barabarta të paktën do t’i kenë kushtet për përgatitje.

Pesë skuadrat që pjesën vjeshtore e mbyllën në pesë pozitat e para në Superligën e futbollit, kanë vendosur që fazën e dytë të përgatitjeve për pranverë ta zhvillojnë në Antalya të Turqisë.

Ballkani, Gjilani, Drita, Prishtina dhe Feronikeli tashmë kanë njoftuar se për të paktën nga dhjetë ditë do të jenë për përgatitje në Antalya, ku tashmë edhe kanë aranzhuar miqësore me skuadra të ndryshme, të cilat gjithashtu po përgatiten apo do të përgatiten në këtë vend, shkruan Koha Ditore. Pjesa e dytë e stinorit do të nisë pas një muaji dhe skuadrat pretendete për titull ka një kohë që kanë nisur me përgatitje në Kosovë, që ato e quajnë fazë e parë apo bazike. Tash fazën e dytë, stërvitjet me top, do t’i kryejnë në Turqi, ku ofrohen kushte të mira, por edhe mot më i nxehtë se në Kosovë.

Ballkani, si kampion dimri, është i pari që ka marrë rrugën drejt Antalyas. Ballkani është lider me 34 pikë pas 17 xhirove të luajtura. Pas Ballkanit renditen Gjilani (32), Drita e Prishtina (31) dhe Feronikeli (27). Lufta për titullin e kampionit pritet të zhvillohet mes këtyre skuadrave.

Ballkani të mërkurën është akomoduar në Antalya, ku do të qëndrojë për dhjetë ditë. Gjatë kësaj faze përgatitore, klubi nga Suhareka ka njoftuar se ka aranzhuar edhe katër ndeshje miqësore, por nuk ka zbuluar emrat e kundërshtarëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme