Suarez: Barcelona synon të fitojë gjithçka

Prishtinë | 30 Maj 2020 | 18:37 | Nga Ekonomia Online

Luis Suarez thotë se ndërprerja e sezonit shkaku i koronavirusit nuk ka ndikuar në ambiciet e Barcelonës, përderisa ka shtuar se të gjithë në Camp Nou e kanë synim të fitojnë gjithçka që kanë mundësi.

Futbolli spanjoll, si shumica e vendeve të tjera në botë, ka qenë i pezulluar përkohësisht, pa pasur datë të saktë kthimi deri më vonë, që nga mesi i muajit mars.

Megjithatë, ndeshjet garuese do të kthehen dhe presidenti i La Ligës, Javier Tebas,  e ka zbuluar së fundi se liga synon ta rinisë sezonin 2019/20 më 11 qershor.

Deri në fund të kampionatit të La Ligës kanë mbetur edhe 11 ndeshje, ndërsa Barcelona mban epërsi të vogël ndaj Real Madridit në kreun e tabelës. Megjithatë, UEFA planifikon ta rinisë edhe sezonin në Ligën e Kampionëve, ku Barcelonës i ka mbetur në gjysmë përballja me Napolin në 1/8 të finales.

“Ambiciet janë të njëjta – të fitojmë gjithçka që mundemi dhe mendoj se jemi në formë të mirë për ta arritur këtë qëllim”, ka thënë Suarez, i cili këtë pauzë e ka shfrytëzuar edhe për t’u rikuperuar nga një lëndim që e kishte pësuar më parë.

“Unë po e shoh skuadrën se po bën punë të mirë dhe kjo më jep shpresa”. /Gazeta Express/

Të ngjashme