UEFA mund t’ia besojë sërish Prishtinës organizimin e ndeshjeve të Ligës së Kampionëve

Prishtinë | 13 Maj 2020 | 12:31 | Nga Ekonomia Online

Federatës së Futbollit të Kosovës mund t’i besohet sërish organizimi i rrethit preliminator të Ligës së Kampionëve, ashtu siç ndodhi në vitin e kaluar.

Më 25 qershor të vitit të kaluar, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, u zhvillua ndeshja e parë e këtij rrethi mes Feronikelit dhe Lincoln Red Imps.

Shikueshmëria nuk ishte e madhe në tribuna, megjithatë fakti se Kosova do ta organizonte këtë rreth, kishte bërë bujë në mediat më të mëdha të Evropës.

Feronikeli e kishte fituar këtë rreth duke mposhtur Lincoln Red Imps, e pas tre ditësh edhe Santa Coloman për t’u kualifikuar në rrethin e parë eliminator.

Zyrtarisht, ende nuk dihet se ku do të organizohet rrethi preliminar i Ligës së Kampionëve, garës më të madhe për klube në Evropë, por ka shumë gjasa që kjo të bëhet në Kosovë.

Lidhur me këtë çështje, Zëri.info ka kontaktuar Sekretarin e Përgjithshëm të FFK-së, Eroll Salihu, i cili shkurtimisht tha: “Ende nuk kemi diçka zyrtare”.

Nga ana tjetër, organizimin e rrethit preliminar të Ligës së Kampionëve në Prishtinë e kanë komentuar edhe mediat në San Marino, ku ‘Sanmarinotv.sm’ shkruan në mes të tjerash:

“Në rast se përfundon kampionati, San Marino merr pjesë në garat evropiane me tri skuadra. Tre Fiori luan në mini-turneun e rrethit preliminar të Ligës së Kampionëve që mbahet në Kosovë më 28 korrik me Kosovën, Andorrën, Irlandën e Veriut dhe San Marinon”.

Rrethi preliminar i Ligës së Kampionëve si zakonisht ishte paraparë të niste në fund të muajit qershor, por shkaku i pandemisë COVID-19, kjo ngjarje është shtyrë.

Deri më tani dihet se 28 korriku është data e caktuar për rrethet e para eliminatore për Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës.

Ndryshe, nga Kosova në garat evropiane do të marrin pjesë tri skuadra. Kampioni i Kosovës luan në eliminatoret e Ligës së Kampionëve, kurse nënkampioni dhe fituesi i Kupës së Kosovës në eiminatoret e Ligës së Evropës.

Të ngjashme