Usyk, boksieri i parë që unifikon titujt e botës

Prishtinë | 23 Kor 2018 | 14:31 | Nga

Boksieri nga Ukraina, Oleksandr Usyk, ka shkruar historinë, pasi ka mposhtur rivalin nga Rusia, Murat Gassiev për t’u bërë njeriu i parë që mban trofeun “Muhammad Ali”. Ky trofe i jepet boksierit që fiton të katërt titujt e rëndësishëm të botës në një kategori. Dhe Usyk e bëri këtë në kategorinë kruzer.

Usyk, të shtunën mbrëma në Moskë para 24 mijë shikuesve, mposhti me vendim unanim rusin Gassiev në “Olimpiyskiy Sports Complex” për të arritur suksesin që të gjithë e lakmojnë, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”. Vlerësimet e gjyqtarëve ishin 102:108, 119:109 dhe 119:108 në favor të boksierit ukrainas.

Usyk, trofeun “Muhammad Ali” e ka marrë nga gruaja e legjendës, Lonnie Ali që ishte mysafire nderi në Moskë.

Ajo që e bën të veçantë këtë shpërblim për Usykun, është se ukrainasi ka ditëlindjen më 17 janar, ditën kur ishte lindur i madhi Ali.

“Të unifikoj katër brezat dhe të marr trofeun ‘Muhammad Ali’ është një ëndërr e realizuar për mua. Nuk është sekret që Ali mbetet idhulli im dhe për mua është nder i madh ta kem këtë trofe në shtëpi”, është shprehur Usyk. “Unë nuk jam superyll, yjet janë në qiell. Jam një djalosh i zakonshëm, i cili po bën gjëra të mira”.

Usyk 31-vjeçar, që ka fituar medaljen e artë olimpike, ka dalë si kundërshtar i detyrueshëm i Gassievit pasi kishte në pronësi brezat në WBO dhe WBC. Ndërkohë Gassiev 24-vjeçar që kishte 26 fitore në po aq meçe para përballjes me ukrainasin Usyk, ishte kampion në WBA dhe IBF.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme