Ekonomia Online
FUNDIT

Energjia elektrike gjatë dimrit 2026/2027, institucionet koordinojnë masat për sigurinë e furnizimit

Energjia elektrike gjatë dimrit 2026/2027, institucionet koordinojnë masat për sigurinë e furnizimit

Në Ministrinë e Ekonomisë është mbajtur takimi i parë i Task-Forcës Ndërinstitucionale për përgatitjen dhe koordinimin e veprimeve gjatë sezonit dimëror 2026/2027, ku në fokus ishte gjendja e furnizimit me energji elektrike dhe masat për garantimin e stabilitetit të sistemit energjetik në vend.

Në takim, ku morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Financave, KEK-ut, ZRrE-së, KEDS-it, KESCO-s dhe KOSTT-it, u diskutua për bilancin energjetik, kapacitetet aktuale të prodhimit, kërkesën e pritshme për konsum dhe mundësitë e sigurimit të energjisë elektrike gjatë muajve të dimrit.

Sipas raportimeve të operatorëve, KOSTT ka arritur të rrisë kapacitetet e transmetimit ndërkufitar me Shqipërinë për 150 MW, ndërsa me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi për nga 100 MW. Po ashtu, ka nisur koordinimin me KEDS-in për identifikimin dhe eliminimin e pikave të ngushta në rrjet gjatë periudhave të ngarkesës së lartë.

Ndërkaq, KEDS ka bërë të ditur se ka siguruar materialet e nevojshme për mirëmbajtjen e rrjetit, ka përfunduar riparimet në nënstacionet përkatëse dhe është i gatshëm për menaxhimin e ngarkesës gjatë periudhave me konsum të shtuar.

KESCO ka njoftuar se është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për sigurimin e kapaciteteve dhe sasive shtesë të energjisë elektrike, me synim përmirësimin e sigurisë së furnizimit gjatë muajit dhjetor.

Në anën tjetër, KEK ka bërë të ditur se po angazhohet për operimin me të gjitha kapacitetet aktualisht në dispozicion, përkatësisht tri blloqet e Termocentralit “Kosova A” dhe bllokun B2 të Termocentralit “Kosova B”.

Sa i përket bllokut B1, që nga prilli janë duke u zhvilluar punimet për vendosjen e sistemit të elektrofiltrave dhe sistemit DeNOx, projekt ky i financuar dhe kontraktuar nga Bashkimi Evropian. Afati kontraktual për përfundimin e punimeve është 25 nëntori, por për shkak të vonesave të paralajmëruara nga kontraktori, Task-Forca ka vendosur të mbajë një takim tjetër gjatë kësaj jave, ku do të marrin pjesë edhe përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Task-Forca do të vazhdojë koordinimin e rregullt gjatë gjithë sezonit dimëror, me qëllim të identifikimit me kohë të sfidave, vlerësimit të rreziqeve dhe ndërmarrjes së masave të nevojshme për të garantuar stabilitetin dhe sigurinë e furnizimit me energji elektrike në Kosovë.

Të ngjashme