Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë konfirmuar se ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka ardhur të mërkurën në Kosovë për arsye humanitare.
Gjykata Speciale konfirmon se Krasniqi ka ardhur në Kosovë

Michael Doyle ka deklaruar për Express kjo është vizita e 15-të e një të paraburgosuri në Kosovë, e autorizuar nga gjyqtarët e Dhomave të Specializuara për arsye humanitare.
Gjykata ka bërë të ditur se vizitat e tilla lejohen në bazë të Rregullës 56 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave, e cila bazohet në standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Rregullat Standarde Minimale të Kombeve të Bashkuara për Trajtimin e të Burgosurve.
“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, Trupi Gjykues i ka udhëzuar Sekretariatin të menaxhojë një vizitë paraburgimi në Kosovë për Jakup Krasniqin.Kjo është vizita e 15-të e tillë nga një i paraburgosur në Kosovë, e urdhëruar nga gjyqtarët e Dhomave të Specializuara për arsye humanitare dhe e menaxhuar nga gjykata deri më sot.Vizita të tilla paraburgimi jepen sipas Rregullës 56 të Rregullores së Procedurës dhe Provave të DHSK-së, të cilat u miratuan nga gjyqtarët dhe bazohen në ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, duke përfshirë Nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Rregullat Minimale Standarde të Kombeve të Bashkuara për Trajtimin e të Burgosurve”, ka deklaruar Doyle.
“Kur një i paraburgosur bën një kërkesë të kësaj natyre, gjyqtari ose gjyqtarët që merren me çështjen vlerësojnë të gjitha rrethanat në kohën kur është bërë kërkesa me urgjencën dhe dhembshurinë që kërkojnë situata të tilla. Ata vendosin bazuar në kuadrin ligjor të DHSK-së dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, ka deklaruar Doyle.














