Ekonomia Online
FUNDIT

Vrasja e Arlinda Zekajt, më 27 nëntor pritet të intervistohen hetues policorë nga Peja

Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt ka diskutuar mënyrën e zhvillimit të intervistimeve të zyrtarëve institucionalë, duke u dakorduar që ato të jenë të hapura për publikun, përveç rasteve kur kërkohet trajtimi i dëshmive konfidenciale, raporton Ekonomia Online.

Gjatë mbledhjes, deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, kërkoi sqarime nga kryetari i Komisionit, Burim Ramadani, lidhur me arsyen pse kërkesat për dokumentacion nuk u janë dërguar të gjitha institucioneve, ndonëse, sipas saj, për këtë kishte pasur dakordim.

“Dakordimi ka qenë që të shkojnë kërkesat për të gjitha. Me na njoftu pse nuk ka shkuar kërkesa për të gjitha”, pyeti ajo.

Ramadani tha se kjo ka ndodhur për arsye teknike dhe se një situatë e tillë nuk do të përsëritet.

Ai bëri të ditur edhe planin për intervistimin e hetuesve policorë dhe zyrtarëve të zinxhirit komandues të Policisë.

“Jo nuk ka pasur as një problem, arsyaja ka qenë teknike. Kjo nuk do të përsëritet, nesër e tutje do të përgatitej të gjitha dokumente për të gjitha institucionet. Të premten e ardhshme t’i ftojmë për intervistim hetuesit policor dhe pastaj në javën vijues i kemi 8 zyrtarë. Me datën 27 e premte i ftojmë hetuesit policor. Me 30 nëntor deri me 4 dhjetor intervistimi i zinxhirit komandues të policisë dhe inspektoriatin”, tha ai.

Ndërkaq, deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi, propozoi që intervistimet të zhvillohen në dy faza: fillimisht me pyetje të përgjithshme në mbledhje të hapur për publikun dhe më pas me pyetje që përfshijnë informacione personale në mbledhje të mbyllur.

“Unë mendoj që duhet ta organizojmë procesin e intervistimit në dy pjesë, faza e parë që bëjmë pyetje në përgjithësi që është e hapur për publikun. Në pjesën e dytë që janë pyetje më personale të jetë e mbyllur. Në pjesën e parë mendoj që është shumë me rëndësi që të jetë e hapur”, tha ai.

Me këtë propozim u pajtua edhe deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, duke thënë se pjesët ku dëshmitarët japin përgjigje konfidenciale duhet të zhvillohen me dyer të mbyllura.

“Pajtoj që mbledhjet gjatë intervistimit duhet me qenë të hapura, pajtohem që në pjesët që dëshmitari ka përgjigje konfidenciale të jetë e mbyllur”, tha ai.

Kica Xhelili rekomandoi që intervistimi i zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale (QPS) të zhvillohet në mbledhje të mbyllur, për shkak të pyetjeve që mund të lidhen me fëmijën.

“Rekomandimi im është që në rastin e QPS të jetë i mbyllur, pasi do të ketë pyetje për fëmijën”, tha ajo.

Në fund, Ramadani tha se mbyllja e mbledhjes duhet të kërkohet nga pala që intervistohet, ndërsa vendimin për këtë do ta marrë Komisioni përmes votimit.

“Thelbi është që pala që vjen duhet të kërkojë në komision mbylljen ose jo dhe ne atëherë e votojmë. Duhet të arsyetojë pala”, tha ai.

Të ngjashme