Përplasje verbale ka pasur mes deputetit të PDK-së, Eman Rrahmani, dhe anëtarit të Komisionit nga VV-ja, Armend Baloku, gjatë mbledhjes së Komisionit Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, raporton Ekonomia Online.
Përplasje mes Rrahmanit dhe Balokut në Komisionin Hetimor për vrasjen e Arlinda Zekajt

Përplasja nisi pasi Rrahmani kërkoi nga eksperti Skender Kandiq të deklarohej nëse kishte konflikt interesi, duke ngritur dyshime për shkak të punës së tij të mëparshme në Qendrën për Punë Sociale (QPS).
“Sa i përket ekspertëve, eksperti Skender Kandiq me na tregu nese nuk ka konflikt interesi, unë sa e di kanë qenë pjesë e QPS-së atje”, pyeti ai.
Kandiq mohoi të ketë konflikt interesi, duke sqaruar se para luftës kishte punuar në QPS, ndërsa pas luftës kishte qenë drejtor në Spitalin Rajonal.
“Unë para luftës kam punuar me QPS, pas luftës kam qenë drejtor në spitalin regjional, nuk kam asnjë konflikt interesi”, tha ai.
Pas kësaj, anëtari i Komisionit nga VV-ja, Armend Baloku, kritikoi Rrahmanin, duke thënë se ai ka pasur mundësi ta shqyrtonte CV-në e ekspertit para votimit të tij.
Rrahmani iu kundërpërgjigj duke thënë se Kandiq është figurë politike dhe se deputetët e njohin të kaluarën e tij.
“Është figurë politike. E keni politizu këtë komision. Ka qenë kandidat për deputet, e njihni shumë mirë, mundeni me aktru”, tha ai.
Baloku reagoi duke thënë se aktrimi nënkupton veprim, ndërsa akuzoi Rrahmanin dhe rrethin e tij për mashtrim.
“Aktrimi nënkupton veprim, unë po veproj. Ndoshta ju dhe rrethi juaj jeni duke mashtruar. Dhe a është a nuk është keni pasur mundësi me hërrët. Ju bëni shoë dhe po i merrni elementet nga fusha ime”, tha ai.
Rrahmani vazhdoi përplasjen duke iu drejtuar Balokut me kritika për aktivitetin e tij.
“Rasti i rëndë jeni ju, sa që aktiviteti ja keni vënë emrin “Fara e Flliqt”, tha ai.
Ndërkaq, kryetari i Komisionit, Burim Ramadani, bëri të ditur se gjatë kësaj mbledhjeje do të intervistohen Toska Gega, menaxhere e rastit në Qendrën për Punë Sociale (QPS) në Pejë; Durim Kelmendi, udhëheqës në QPS; Shpat Morina, zyrtar i QPS-së; Shpresa Lukaj, drejtuese e QPS-së në Pejë; si dhe Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës.


















