Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së partisë, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mungesën e investimeve në projektin e hekurudhës Prishtinë-Durrës dhe për politikat energjetike të vendit, raporton Ekonomia Online.
Gjini kritikon Qeverinë për hekurudhën Prishtinë-Durrës dhe energjinë: Po e dënojnë Kosovën të mbetet në duart e mafias energjetike
Gjini ka thënë se Qeveria nuk ka ndarë mjete buxhetore për realizimin e studimit të fizibilitetit për pjesën e Kosovës në projektin e hekurudhës, ndonëse, sipas tij, për këtë fazë është dashur të ndahen tre milionë euro.
Ai e ka cilësuar këtë projekt si strategjik dhe jetik për Kosovën, duke paralajmëruar se mungesa e mjeteve në buxhet nënkupton shtyrje të mëtejshme të realizimit të tij.
“Pjesa tjetër që duhet me e përmend është hekurudha prej Prishtinës deri në Durrës. Dëgjoni, Kosova është zotuar që ka me e kry fizibilitetin për pjesën e vet. Ka qenë dashur një ndarje prej 3 milionë eurosh për një pjesë të tillë, pra këtë fazë të zhvillimit të këtij projekti jashtëzakonisht strategjik, jashtëzakonisht jetik për Kosovën, një projekt i cili i hap dyert zhvillimit ekonomik të Kosovës. Nëse e merrni dhe e shihni buxhetin, aty nuk figuron asnjë cent për këtë pjesë”, ka deklaruar Gjini.
Ai ka theksuar se mosndarja e mjeteve për studimin e fizibilitetit do të ndikojë drejtpërdrejt në afatet e realizimit të projektit, duke thënë se as gjatë vitit 2027 nuk pritet të ketë zhvillime konkrete.
“Që do të thotë, as në vitin 2027 jo vetëm që nuk do të nisë asgjëkund, por nuk do të keni asnjë fizibilitet, që do të thotë se as në vitin 2028 nuk do të ndodhë asgjë”, është shprehur ai.
Një pjesë të rëndësishme të deklarimit të tij, Gjini ia ka kushtuar edhe situatës energjetike në Kosovë dhe vendimit të Qeverisë për ndalimin e importit të energjisë elektrike nga Serbia.
Sipas tij, ky vendim është një përpjekje për t’i orientuar qytetarët drejt një arsyetimi të gabuar për problemet energjetike që mund ta presin vendin gjatë dimrit. Gjini ka theksuar se Kosova ka importuar relativisht pak energji drejtpërdrejt nga Serbia, por ka pretenduar se kompanitë e licencuara në Prishtinë për import dhe transmetim të energjisë janë serbe ose kontrollohen nga Serbia.
“Ato që i kemi dëgjuar ditëve të fundit, dje e pardje, kanë qenë fakti që Qeveria e Kosovës ka vendosur me e ndalu importin e energjisë prej Serbisë. Ajo që më duhet me ju thënë juve është që kjo është një mënyrë për me ua hedhur hi syve të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ta keni të qartë, prej Serbisë si shtet që prodhon energji, Kosova ka blerë më së paku energji. Por kompanitë të cilat licencohen në Prishtinë për me importu rrymë, për me transmetu rrymë në Kosovë, janë krejt të Serbisë ose janë të kontrolluara krejt prej Serbisë”, ka thënë Gjini.
Ai ka pretenduar se vendimi i Qeverisë synon ta zhvendosë përgjegjësinë për problemet e mundshme me furnizim me energji gjatë muajve të dimrit te Serbia, ndërkohë që, sipas tij, vetë Qeveria ka anuluar projektet që do ta rrisnin prodhimin vendor të energjisë elektrike.
“Tash, në këtë situatë në të cilën ndodhemi, një vendim i tillë më tepër ka për qëllim me i konfuzu qytetarët e Kosovës, që muajin e dimrit me ju thënë që fajin e ka Serbia. Përderisa kjo Qeveri, ky pushtet, i ka anuluar të gjitha projektet të cilat kanë pasur për qëllim me prodhu energji në Kosovë, me e bërë Kosovën prodhuese të energjisë, mos me u varur prej importit edhe prej mafias energjetike që këta njerëz e kanë instaluar”, është shprehur kreu i Aleancës.
Gjini ka përmendur në këtë kontekst edhe projektin me kompaninë ContourGlobal, për të cilin ka thënë se Kosova ka paguar 21 milionë euro në arbitrazh, si dhe ka kritikuar refuzimin e projektit të gazit amerikan.
“E kanë anuluar projektin me ContourGlobal-in, për të cilin edhe kemi paguar në arbitrazh 21 milionë euro. E kanë refuzuar gazin amerikan. Që do të thotë, këta nuk mendojnë as çka ka me ndodh në afat të shkurtër, as çka ka me ndodh në një periudhë afatmesme ose afatgjatë, por po e dënojnë Kosovën me mbetë në duart e mafias energjetike, për të cilën tash mos të kemi dilemë që janë të lidhur edhe vetë”, ka deklaruar Gjini.














