Ekonomia Online
FUNDIT

Gërvalla viziton Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, apelon të raportohet dhuna në numrin 0800 11112

Gërvalla viziton Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, apelon të raportohet dhuna në numrin 0800 11112

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka vizituar Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave (ZMNV), e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ku është takuar me koordinatorin e kësaj zyre, Burhan Maxhuni.

Përmes një postimi, Gërvalla ka bërë të ditur se gjatë takimit kanë diskutuar për punën, përgjegjësitë dhe funksionimin e kësaj zyre, si dhe rolin e saj në mbrojtjen e të drejtave të viktimave të krimit.

Ajo ka theksuar se përmes Mbrojtësve të Viktimave sigurohet përfaqësimi dhe mbështetja e tyre gjatë procedurave në prokurori dhe gjykata.

"Kjo zyre ka një rol thelbësor në garantimin e të drejtave të viktimave të krimit. Përmes Mbrojtësve të Viktimave, sigurohet përfaqësim dhe mbështetje gjatë procedurave në prokurori dhe gjykata, informim për të drejtat ligjore dhe orientim drejt shërbimeve të nevojshme për mbrojtje dhe ndihmë", ka shkruar Gërvalla.

Ministrja ka theksuar se mbrojtja e të drejtave të viktimave është detyrim i shtetit dhe pjesë e funksionimit të shtetit ligjor.

"Të drejtat e viktimave janë të drejta themelore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Mbrojtja e tyre është detyrim i patjetërsueshëm i shtetit dhe provë e drejtpërdrejtë e funksionimit të shtetit ligjor. Për dhunën nuk ka justifikim, për kryerësit nuk ka amnisti dhe për shkeljen e të drejtave të viktimave nuk ka tolerancë. Ligji duhet të veprojë, drejtësia duhet të triumfojë dhe përgjegjësia duhet të jetë e pashmangshme", ka deklaruar ajo.

Gërvalla ka rikujtuar gjithashtu se qytetarët dhe viktimat e dhunës mund të kërkojnë ndihmë përmes Linjës Ndihmëse 0800 11112, e cila është shërbim publik, pa pagesë dhe konfidencial.

"Një mekanizëm i drejtpërdrejtë për të kërkuar ndihmë është edhe Linja Ndihmëse 0800 11112, një shërbim publik, pa pagesë dhe konfidencial, përmes të cilit viktimat dhe qytetarët mund të kërkojnë ndihmë, të raportojnë raste të abuzimit dhe të informohen për të drejtat dhe mekanizmat e mbrojtjes", ka shkruar ministrja.

Në fund, ajo ka apeluar që qytetarët të mos heshtin përballë dhunës dhe të kërkojnë ndihmë duke raportuar rastet.

"Prandaj mos hesht përballë dhunës. Kërko ndihmë. Raporto dhunën. 0800 11112 | Thirrja është falas", ka përfunduar Gërvalla.

Të ngjashme