Gjykata Speciale sot ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi duke e dënuar me 17 muaj burgim (1 vit e 5 muaj), lidhur me akuzën për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
“Evropa gjithmonë na ka tradhtuar”, qytetarët për dënimin ndaj Hashim Thaçit

E, këtë vendim qytetarët e vendit e kanë quajtur të papranueshëm, të cilët për Ekonomia Online kanë thënë se me këtë dënim po tentohet të ulet jo vetëm vlera e Thaçit por edhe e luftës çlirimtare të Kosovës.
Qytetari Reshat Salihu ka deklarar se nuk është aspak e drejtë që një çlirimtar të mbahet në burg pa asnjë arsye.
Ai ka kërkuar që institucionet e Kosovës të angazhohen më shumë dhe të dërgojnë dokumentacionin e nevojshëm për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.
“Ky vendim, për mendimin tim, është i papranueshëm. Mendoj që është vetëm për t’ia humbur vlerën jo vetëm Hashim Thaçit, por edhe luftës çlirimtare të Kosovës. Unë mendoj se është një vendim i papranueshëm. Mendoj se shteti duhet të punojë më shumë, t’i dërgojë ato letra, sepse nuk është në rregull që një çlirimtar të mbahet në burg pa kurrfarë arsye. Ky vendim duhet të eliminohet, nuk është në rregull. Ai duhet të lirohet, jo vetëm ai, por të gjithë. Jam befasuar me vendimin e sotëm. Kjo gjykatë është vazhdimësi e të këqijave që i ka bërë kjo gjykatë. Tash ata duhet të vijnë në shtëpi, të pafajshëm, por edhe shteti duhet të punojë dhe të dërgojë letra për t'i liruar”, ka deklaruar Salihu.
Ndërsa qytetari Ajet Rreci e ka cilësuar të papranueshëm vendimin e sotëm ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, duek shtuar se i njeti është “hajgare”.
“Shpresojmë që sa më shpejt të lirohen prej Hagës. Zoti i ruajtë, se duhet të shkojnë të gjithë në burg dhe ta lirojnë Thaçin, ka merita të mëdha. Kjo dihet pse bëhet, pa asnjë arsye, por shpresojmë se Zoti është i madh, ka me i ndihmuar dhe shpejt kanë me u liruar. Ky vendim i sotëm ka qenë hajgare. E kanë parë të gjithë njerëzit, popullata, ky vendim është hajgare. Ajo gjykatë me gjykatës, legena janë”, tha Rreci për Ekonomia Online.
Ai ka shprehur kritika edhe ndaj Evropës, duke thënë se, sipas tij, ajo vazhdimisht e ka tradhtuar popullin shqiptar.
“Po, këtë po munden me bë ndaj shqiptarëve, ndaj popullit shqiptar, Evropa gjithmonë na ka tradhtuar dhe është Evropë tradhtare, si gjithmonë,” potencoi ai.
Ndërsa, qytetari tjetër ka komentuar vendimin e dytë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, duke thënë se vendimi i parë nuk ishte i drejtë, ndërsa dënimi i dytë me 17 muaj burgim e ka befasuar.
Ai ka thënë se shpreson se vendimi do të ndryshojë në favor të Thaçit në Gjykatën e Apelit.
“Për mendimin tim, vendimi i parë nuk ka qenë i drejtë, kurse vendimi i dytë është befasi, pasi nuk e kemi pritur. Kemi pritur më keq. E ka dënuar me 17 muaj, besoj që ka me u ndryshuar për të mirë edhe në Apel”, ka deklaruar ai.
Në të njëjtin rast, Gjykata Speciale në Hagë ka dënuar Bashkim Smakajn me 12 muaj burgim dhe Hajredin Kuçin me një muaj burgim me kusht, ndërsa Fadil Fazliun dhe Isni Kilajn i ka liruar.


















