Në një kohë kur arsimi i lartë në Kosovë po përballet me sfida që lidhen me cilësinë, akreditimin dhe përshtatjen e kuadrit ligjor me zhvillimet e reja akademike, Komisioni për Arsim dhe Shkencë ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e kolegjeve private, ku në fokus ishte e ardhmja e arsimit të lartë dhe trajtimi i barabartë i institucioneve publike dhe private, raporton Ekonomia Online.
Kolegjet private kërkojnë ndryshime në Ligjin për Arsimin e Lartë, ankohen për paqartësi në licencim
Gjatë diskutimit u ngritën çështje që lidhen me procesin e licencimit, mbështetjen financiare për studentët, zgjerimin e programeve akademike dhe nevojën për ndryshime në Ligjin për Arsimin e Lartë.
Kryetari i këtij komisioni, Enver Hoxhaj, tha se qëllimi i takimit është krijimi i një platforme të hapur të bashkëpunimit, ku përfaqësuesit e institucioneve private të arsimit të lartë do të mund të paraqesin shqetësimet dhe propozimet e tyre për përmirësimin e legjislacionit.
Ai theksoi se cilësia duhet të jetë përgjegjësia kryesore e shtetit në fushën e arsimit të lartë, pavarësisht nëse bëhet fjalë për institucione publike apo private.
“Duam që komisioni ynë të jetë një platformë e hapur që t'i shkëmbejmë opinionet e ndryshme, pikëpamjet e ndryshme, dhe të dëgjojmë prej anës suaj propozime konkrete se çfarë do të duhet të bëjmë si deputetë të Kuvendit të Kosovës. Ne u takojmë partive të ndryshme politike dhe secili prej nesh krenohet me grupimin politik cilit i takon, por mbi të gjitha jemi ata të cilët fushën e arsimit e shohim përtej interesit të ngushtë të pikëpamjeve tona politike, është një komision ku kemi dakordim dhe bashkëpunim shumë të mirëfilltë”, tha Hoxhaj.
Ai bëri të ditur se një nga çështjet kryesore që komisioni synon të trajtojë është procesi i akreditimit, duke theksuar se ai nuk duhet të shërbejë vetëm si procedurë administrative, por si mekanizëm për garantimin dhe ngritjen e cilësisë akademike.
“Dhe ne mendojmë që akreditimi nuk duhet të jetë vetëm një vulë që i vonon programet, por duhet të jetë një filtër i mirëfilltë, i cili ju mundëson juve që ta ngritni sa më lart cilësinë”, u shpreh ai.
Hoxhaj përmendi edhe nevojën për shqyrtimin e pengesave që institucionet private mund të kenë nga legjislacioni aktual, duke rikujtuar se Ligji për Arsimin e Lartë është miratuar në vitin 2011 dhe ka mbetur në fuqi që nga viti 2019, ndërsa përpjekjet për miratimin e një ligji të ri nuk kanë përfunduar me sukses.
Sipas tij, Qeveria pritet ta sjellë vitin e ardhshëm projektligjin e ri, ndërsa komisioni është i interesuar që në këtë proces të përfshihen edhe propozimet e kolegjeve private.
“Qeveria e Kosovës do ta sjellë vitin e ardhshëm dhe ne duam si komision që të jemi në dispozicionin tuaj, ndërsa ju na sugjeroni nëse duhet të bëjmë ndryshime ligjore të cilat janë në interes dhe në mbrojtje të institucioneve jopublike të arsimit të lartë. Për çfarë duhet të bëjmë që ta rregullojmë statusin tuaj ligjor dhe emërtimet e bazave të arsimit të lartë? Çfarëdo që ju mendoni se duhet të sugjerohet, duhet ta sugjeroni”, tha Hoxhaj.
Ndërkaq, përfaqësuesi i UBT-së, Artan Tahiri, ngriti si shqetësim paqartësitë në procesin e licencimit të institucioneve private të arsimit të lartë, veçanërisht sa i përket afatit pesëvjeçar dhe mungesës së përcaktimit nëse bëhet fjalë për licencim institucional apo programor.
Ai tha se aktualisht ekziston një dyfishim i vlerësimeve, pasi Agjencia e Akreditimit dhe një komision në ministri shqyrtojnë të njëjtat kapacitete dhe kushte të institucioneve, gjë që sipas tij mund të sjellë edhe vlerësime kundërthënëse.
“Pjesa tjetër e cila ka sponsorë është me rëndësi për ne, është pjesa e licencimit, afatit të licencimit dhe mos përcaktimit të qartë të licencimit të institucioneve të arsimit jo publik në këtë rast. Është një afat pesëvjeçar, por nuk e ka të përcaktuar a është licencim institucional apo është licencim programor. Dhe këtu është dyfishuar puna nga njëra anë, Agjencia e Akreditimit bën vlerësimin e infrastrukturës dhe kapaciteteve institucionale e në anën tjetër, një komision në ministri prapë bën vlerësimin e kushteve të njëjta, dhe shpeshherë këto vlerësime mund të jenë kundërthënëse tek ekspertët ndërkombëtarë që ndërmarrin këtë vlerësim dhe personat përgjegjës që janë të thirrur në Republikën e Kosovës”, tha Tahiri.
Ai kërkoi gjithashtu që të ketë më shumë mbështetje financiare për studentët që ndjekin studimet në institucionet private, duke vlerësuar se aktualisht barra financiare bie kryesisht mbi familjet e tyre.
Tahiri përmendi edhe shpenzimet e buxhetit të Kosovës për financimin e doktoratave jashtë vendit, duke thënë se vetëm gjatë vitit 2023 janë ndarë rreth 365 mijë euro për këtë qëllim.
“Një statistikë sa për ta thënë në këtë rast: vetëm në vitin 2023 janë dikund 365.000 euro të buxhetit të Kosovës të derdhura në pjesën e doktoratës së kandidatëve të cilët shkojnë jashtë vendit. Në qoftë se këto mjete buxhetore do të ishin ndalur këtu në Republikën e Kosovës, duke marrë parasysh se ato institucione të cilat shkojnë janë shumë më poshtë të ranguara në listat e rangimit ndërkombëtar, institucionet tona janë në vende prestigjoze në këto ranglista, janë të vlerësuara ndërkombëtarisht, kanë pozicione kryesore, madje të parët në shumicën e fushave, për sa i përket cilësisë, teknologjisë, inovacionit, ndërmarrësisë, mbi bazën e së cilës këto institucione edhe bazohen te pjesa e cilësisë”, deklaroi ai.
Përafqësuesi i UBT-së foli edhe për kufizimet që, sipas tij, po ua pamundësojnë institucioneve private zgjerimin e veprimtarisë akademike, përfshirë hapjen e programeve të doktoratës dhe programeve në fushën e mjekësisë.
Ai tha se UBT-ja ka investuar në kapacitete infrastrukturore dhe klinike, përfshirë spitalin, institutet dhe poliklinikat, si dhe ka marrëveshje me Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës dhe spitalet rajonale për realizimin e praktikës klinike të studentëve.
Në anën tjetër, rektori i Kolegjit AAB, Blerim Olluri, tha se institucioni që ai drejton ka mbi 50 programe të akredituara dhe 13 fakultete, duke shprehur gatishmërinë për të kontribuar në zhvillimin e arsimit të lartë përmes ekspertizës profesionale dhe kapaciteteve infrastrukturore.
Olluri theksoi se institucionet publike dhe private duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë, ndërsa kërkoi që kjo çështje të adresohet përmes plotësim-ndryshimit të Ligjit për Arsimin e Lartë.
“Kolegji AAB ka konsoliduar në masë të konsiderueshme tani të gjitha aktivitetet e tij sa i përket shumëllojshmërisë së programeve – mbi 50 programe të akredituara sipas normave ndërkombëtare nga Agjencia e Akreditimit, me 13 fakultete. Domethënë, jemi në fazën që jemi të konsoliduar në atë nivel sa mund t'i japim edhe kontribut lidhur me çështjet e cilësisë dhe zhvillimin, avancimin e arsimit të lartë”, tha Olluri.
Ai shtoi se kolegji është i gatshëm të ofrojë hapësirat dhe ekspertizën e tij për organizimin e konferencave, seminareve dhe aktiviteteve të tjera që synojnë zhvillimin akademik dhe ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë.
“Ajo që është shumë e rëndësishme është se arsimi i lartë në Kosovë duhet të zhvillohet si një sistem cilësor – këtu nuk kemi debate asnjëri prej neve – konkurrues e i integruar ndërkombëtarisht, ku institucionet publike dhe jo-publike duhet të konsiderohen të barabarta në qasje. Dhe kjo patjetër duhet të adresohet në plotësim-ndryshimin e Ligjit mbi Arsimin e Lartë, i cili tanimë është i vjetërsuar”, përfundoi Olluri.
















