Instituti GAP ka organizuar tryezën e diskutimit ku është prezantuar raporti “Përputhja e buxhetit të Kosovës me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (2021–2025)”, raporton Ekonomia Online.
GAP: 87% e shpenzimeve buxhetore të Kosovës kontribuuan në Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm gjatë viteve 2021–2025
Në këtë raport janë analizuar shpenzimet buxhetore të Kosovës gjatë pesë vjetëve të fundit dhe mënyra se si ato kontribuojnë në realizimin e 17 Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Drejtori ekzekutiv i Institutit GAP, Blendi Hasaj, tha se raporti është realizuar me mbështetjen e Zyrës së Koordinatorit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, me qëllim të analizimit të shpërndarjes së shpenzimeve buxhetore në kuadër të këtyre objektivave.
“Përmes këtij raporti, pra, jemi munduar të krahasojmë se në çfarë mase po reflektojnë shpenzimet buxhetore në kuadër të SDG-ve dhe cilat prej këtyre objektivave po marrin më shumë pjesë nga buxheti vjetor i Kosovës. Siç do ta shihni edhe gjatë prezantimit të analizës dhe gjetjeve nga kolegia Rona, ka çështje shumë interesante të cilat meritojnë diskutim më të gjerë në tryezën e sotme, por edhe në vijim. Për shembull, në raport ne e gjejmë se rreth 87% e buxhetit vjetor është e shpërndarë, apo alokohet, nëpër disa SDG. Mirëpo, pastaj mbetet e rëndësishme për të parë se sa janë të përqendruara shpenzimet apo të shpërndara nëpër të gjitha SDG-të, sepse gjetjet tona tregojnë një përqendrim në tre ose katër SDG kryesisht, e që këtë do ta mësojmë edhe më vonë. Në anën tjetër, disa prej SDG-ve mjaft të rëndësishme që kanë të bëjnë, ta zëmë, me barazinë gjinore apo me mbrojtjen dhe investimet në mjedis, nuk reflektohen aq shumë në shpenzimet buxhetore apo në SDG-të relevante”, tha Hasaj.
“Këto gjetje na bëjnë që normalisht të ngrisim një pyetje edhe për mënyrën e prioritizimit të çështjeve përmes buxhetit, mirëpo normalisht edhe për objektivat të cilat ne po i targetojmë përmes politikës tonë në këtë rast fiskale dhe shpenzimit të buxhetit e që veçanërisht bëhet e rëndësishme në një kohë kur sfidat mjedisore dhe ndryshimet klimatike e bëjnë shumë më të rëndësishme që këto ta marrin prioritetin e duhur, nëse synimi ynë është që të kemi një zhvillim ekonomik i cili është i qëndrueshëm, dhe jo vetëm zhvillim ekonomik vetvetiu. Dhe për fat të mirë, pra, SDG-të vetëm se i prioritizojnë këto çështje që sigurojnë zhvillim të qëndrueshëm, e ne na mbetet që normalisht edhe orientimin tonë edhe buxhetor, mirëpo edhe të angazhimit institucional, ta kemi në këtë drejtim”, deklaroi ai.
Ndërkaq, koordinatori i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, Stephen O’Malley, tha se buxheti është pasqyra më e qartë e prioriteteve të një qeverie dhe shoqërie, duke theksuar se Kosova duhet të sigurohet që burimet financiare të jenë në përputhje me zotimet për realizimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm deri në vitin 2030.
“Siç e dini të gjithë, buxheti është deklarata më e qartë e prioriteteve që përcakton një qeveri dhe një shoqëri. Strategjitë na tregojnë se çfarë synojnë të bëjnë institucionet, ndërsa buxhetet na tregojnë se çfarë janë duke bërë dhe çfarë kanë bërë. Kosova ka bërë një zgjedhje të vetëdijshme për t’u përkushtuar ndaj Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Kuvendi e bëri këtë përmes një rezolute në vitin 2018, ndërsa edhe Strategjia Kombëtare për Zhvillim 2030 është në përputhje me këto objektiva. Na kanë mbetur edhe katër vjet deri në vitin 2030 dhe pyetja është nëse burimet financiare po e përcjellin këtë zotim. Deri më tani, mendoj se ka qenë e vështirë t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje përmes shifrave. Një nga pikat më të forta të këtij raporti është se ai përbën përpjekjen e parë gjithëpërfshirëse për ta bërë këtë”, ka thënë ai.
“Para se të fillojë prezantimi i raportit, do të veçoja tri gjetje kryesore. Gjetja e parë është, mendoj, mjaft inkurajuese. Në periudhën 2021–2025, rreth 87 për qind e shpenzimeve buxhetore, përkatësisht rreth 13.4 miliardë euro, janë dedikuar për aktivitete që kanë kontribuar në realizimin e objektivave. Pjesa më e madhe e këtyre mjeteve është orientuar drejt mbrojtjes sociale, institucioneve publike, sundimit të ligjit, infrastrukturës arsimore dhe shëndetësisë. Këto janë investime në njerëz dhe në institucionet që u shërbejnë atyre. Mendoj se Kosova meriton shumë vlerësim për këtë. Gjetja e dytë është se shpenzimet janë të përqendruara. Pesë objektiva përfitojnë 82 për qind të mjeteve të dedikuara për këto qëllime, ndërsa gjashtë objektiva përfitojnë më pak se një për qind. Në mesin e tyre janë disa prej Objektivave kryesore të Zhvillimit të Qëndrueshëm, si barazia gjinore, zvogëlimi i pabarazive, klima dhe mbrojtja e natyrës. Mendoj se autorët kanë të drejtë dhe jam e bindur se do të flasin më hollësisht për këtë çështje, se disa prej këtyre gjetjeve duhet të interpretohen me kujdes. Një ndarje e ulët buxhetore nuk nënkupton automatikisht mungesë të investimeve. Për shembull, disa shpenzime që përfitojnë gratë apo mjedisi mund të jenë të përfshira në kategori të tjera buxhetore, ku nuk janë aq të dukshme”, ka shtuar O’Malley.
“Por pikërisht kjo është çështja me të cilën përballen autorët e raportit: kur shpenzimet nuk janë të identifikueshme në buxhet, bëhet e vështirë planifikimi, monitorimi dhe, gjithashtu, mbrojtja e këtyre mjeteve, sidomos në kohën kur burimet financiare janë të kufizuara. Këto janë, natyrisht, çështje thelbësore. Pjesëmarrja e grave në ekonomi, energjia më e pastër, qëndrueshmëria ndaj përmbytjeve dhe zjarreve në pyje, si dhe përfshirja e të gjitha komuniteteve, do të përcaktojnë në masë të madhe prosperitetin e Kosovës dhe do të pasqyrojnë rrugën evropiane që ajo ka zgjedhur. Gjetja e tretë që do të veçoja është se paratë nuk janë e njëjta gjë me rezultatet. Për shembull, kategoria me ndarjen më të madhe buxhetore, ajo që lidhet me uljen e varfërisë dhe mbrojtjen sociale, arrin rezultatet më të mira kur mjetet u dedikohen atyre që kanë më së shumti nevojë. Dhe pikërisht kjo nënkuptohet me parimin që askush të mos mbetet prapa”, tha O’Malley.
Ndërkaq, hulumtuesja nga Instituti GAP, Rona Zhuri, gjatë prezantimit të raportit, tha se analiza mbulon periudhën 2021–2025 dhe synon të paraqesë në mënyrë gjithëpërfshirëse kontributin e shpenzimeve buxhetore në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Ajo theksoi se, ndonëse Kosova ka shprehur përkushtimin për realizimin e këtyre objektivave përmes rezolutës së Kuvendit të vitit 2018 dhe Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2030, ende nuk ekziston një mekanizëm specifik për matjen e progresit në këtë drejtim.
“Pra, ky raport synon të ofrojë një pasqyrë gjithëpërfshirëse se sa kontribuojnë shpenzimet buxhetore të Kosovës në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm apo SDG-ve. Dhe këtë e realizon përmes klasifikimit të shpenzimeve buxhetore dhe alokimit të tyre nëpër SDG. Për qëllim të këtij prezantimi, atëherë do t’iu referohem “SDG” dhe jo “Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm”, se është më shkurtimisht. Kjo analizë e mbulon një periudhë pesëvjeçare, pra nga viti 2021 deri në vitin 2025. Fillimisht, siç u përmend edhe më herët nga parafolësit, në 2015-ën është nënshkruar një marrëveshje në mes të shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, me të cilën është përcaktuar Agenda 2030 dhe u përcaktuan 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. Lidhur me këtë, Kosova ka shfaqur vullnet për përmbushjen e SDG-ve përmes miratimit të një rezolute në Kuvend në vitin 2018, me qëllim të angazhimit të komisioneve parlamentare dhe të qeverisë në zbatimin e SDG-ve. Një dokument strategjik që Kosova ka përfshirë edhe SDG-të, është pra Strategjia Kombëtare për Zhvillim 2030, e cila përcakton ndërlidhjen e objektivave strategjikë me SDG-të. Megjithatë, edhe pse ka raporte të rregullta të zbatimit të objektivave të strategjisë, nuk ka një mekanizëm specifik që mat progresin e Kosovës drejt arritjes së SDG-ve”, ka thënë ajo.
“Fillimisht po flas shkurt për një kontekst të ekonomisë së Kosovës, meqë e kemi përmendur edhe në raport. Pra, gjatë viteve 2022–2025, rritja mesatare ka qenë 4%. Papunësia shënoi një rënie të vazhdueshme nga 22.5% në vitin 2021, në 10.8% në vitin 2024. Shpenzimet buxhetore u rritën prej 2.3 miliardë euro në vitin 2021, në 3.6 miliardë euro në vitin 2025. Ngjashëm edhe të hyrat buxhetore u rritën nga 2.2 miliardë euro në vitin 2021, në 3.3 miliardë euro në të njëjtën periudhë. Borxhi publik mbetet i ulët me një mesatare prej 18% të GDP-së. Ndërsa nëse analizojmë shpenzimet sipas kategorizimit funksional, shpenzimet më të mëdha të buxhetit në vitin 2025 ishin në mbrojtje sociale, pastaj në çështje ekonomike, në shërbime të përgjithshme publike, në arsim dhe në shëndetësi”, ka thënë ajo.
“Atëherë, po vazhdoj me rezultatet kryesore të punimit. Rezultatet tregojnë se Kosova gjithsej ka alokuar 13.4 miliardë euro buxhet në kategori që kontribuojnë në arritjen e SDG-ve për një periudhë pesëvjeçare. Mesatarisht në vit janë ndarë diku 2.7 miliardë euro për financim të SDG-ve. Pra, rreth 87% e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore janë klasifikuar nëpër SDG. Në këtë periudhë, pra vetëm në vitin 2025, diku 3.1 miliardë euro të buxhetit janë alokuar nëpër SDG. Rezultatet tregojnë që rreth 82% e buxhetit të alokuar nëpër SDG është përqendruar në vetëm pesë objektiva. Pra, është Objektiva 1: SDG 1 (Pa varfëri), SDG 16 (Paqe, drejtësi dhe institucione të forta), SDG 4 (Arsimi), SDG 9 (Industri, inovacion dhe infrastrukturë) dhe SDG 3 (Shëndet i mirë dhe mirëqenie). Tek SDG 1, pra, buxheti në vitin 2021 ishte 642 milionë euro dhe u rrit në 906 milionë euro në vitin 2025. Në këtë kategori kemi përfshirë shpenzime si skemat e pensioneve dhe programet e asistencës sociale për të moshuarit, familjet në nevojë, si dhe kategori të tjera si nënat dhe fëmijët. Gjithashtu janë përfshirë edhe programet e banimit social dhe shpenzime të ngjashme që synojnë uljen e varfërisë ekstreme. Tek SDG 16 (Paqe, drejtësi dhe institucione të forta), janë alokuar gjithsej 2 miliardë euro për një periudhë pesëvjeçare. Këtu kemi përfshirë shpenzimet për forcimin e administratës publike, institucionet e drejtësisë, sistemet e tatimeve dhe doganave, shërbimet e regjistrimit civil dhe sistemet e qeverisjes digjitale.SDG 4 ishte SDG e tretë me më së shumti financim. Pra, këtu hyn arsimi, shpenzimet rreth arsimit, dhe gjithsej janë alokuar 1.9 miliardë euro për një periudhë pesëvjeçare. Kryesisht janë përfshirë shpenzimet rreth ndërtimit dhe renovimit të objekteve shkollore dhe të çerdheve, investimet në infrastrukturë universitare, si dhe financimi i institucioneve arsimore”, tha Zhuri.
Në anën tjetër, zëvendësministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Driton Hyseni, tha se në raport duhet të përfshihen edhe donacionet dhe fondet e ndara nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, pasi sipas tij, ato përbëjnë një pjesë të rëndësishme të mbështetjes për realizimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Ai përmendi edhe disa projekte në sektorin e ujit dhe atë të banimit social, të financuara nga institucionet ndërkombëtare.
“Të them të drejtën, unë e shoh të nevojshme, dëgjova nga Rona që në prezantim nuk është përfshirë komponenta e donacioneve e fondeve të cilat janë të dhëna nga aleatët tonë, partnerët e vendit tonë. Mendoj që në këtë drejtim raporti mund ta pasurojmë secili dikaster me ato të hyra që vijnë nga donatorët, sepse paraqesin një pjesë jashtëzakonisht të madhe, një pjesë substanciale sa i takon përkrahjes që vendet e ndryshme, institucionet e ndryshme i japin Kosovës e që lidhen direkt me përmbushjen e këtyre objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm. Sidomos sa i takon sektorit të ujit, ne e kemi projektin Floës, një kredi nga banka botërore, e cila ka lënë vlerën 25 milionë eurove e cila trajton sigurinë e ujit, cilësinë e ujit, shtrirjen e rrjetit të ujësjellësve dhe në këtë drejtim gjithashtu mendoj që është e nevojshme të potencohet edhe një ndihmesë që i është bërë Kosovës, po flas tani për dikasterin ku unë përfaqësoj tu sot, sa i takon banimit social adekuat, kemi 25 milionë të ndara nga Banka e Zhvillimit të Këshillit të Evropës, i cili fond i është dedikuar krijimit të kushteve më të mira për jetesë për shumë banorë të Kosovës të cilët jetojnë në kushte jo të mira, qoftë në shtëpitë apo banesat aktuale, të cilat kanë nevojë të rinovohen, të modifikohen, por gjithashtu edhe në ndërtimin e njësive të reja banuese, qoftë shtëpi, qoftë banesa të përbashkëta, me qëllim që në një takim, si të thuhet, të eliminuar këtë nevojën e, apo më mirë të them, trajtimin e atyre kategorive të cilat për momentin nuk jetojnë në kushte adekuate të banimit, të formulojë kështu një frazë në konsideratë edhe të gjendjes së tyre, por edhe të nevojës së tyre”, ka thënë ai.
“E shoh të nevojshme shumë që ta them ndonjë gjë që krahas rritjes së bruto produktit vendor, krahas rritjes së buxhetit të shtetit, ju e dini që për vitin e ardhshëm është paraparë të kemi një buxhet prej 4.3 miliardë, këtë vit bruto produkti vendor shkon në shifrën 12 miliardë euro. Vazhdimisht ne po kemi një progres, po kemi një zhvillim, por njëkohësisht edhe po rriten standardet, por edhe po rriten nevoja për financime dhe investime të mëdha në këto sektorë që ndërlidhen me objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm. Mirëpo mendoj që në këtë tryezë është shumë e rëndësishme ta themi një gjë që edhe u potencua nga rona, edhe nga ju të tjerët, që 87% e buxhetit aktual të Republikës së Kosovës i dedikohet këtyre shtyllave të objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm. Dhe unë mendoj që këtu jemi shumë në rregull sa i takon nivelit të shpërndarjes”, tha Hyseni.



















