Ndërlidhja e Sistemit Informativ për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore (SIMBNJ) me Sistemin për Menaxhimin e Pagave (SMP) dhe Thesarin pritet të mundësojë lirimin e 8.9 milionë eurove nga fondet e Bashkimit Evropian, pas përmbushjes dhe verifikimit të këtij hapi në kuadër të Planit të Rritjes, raporton Ekonomia Online.
Qeveria ndërlidh sistemet e pagave dhe burimeve njerëzore, pritet lirimi i 8.9 milionë eurove nga BE-ja

Kështu u bë e ditur në një punëtori të organizuar nga Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike, ku u prezantua ndërlidhja e këtyre sistemeve, që synon automatizimin e proceseve, harmonizimin e të dhënave dhe zvogëlimin e regjistrimeve të dyfishta në administrimin e pagave.
Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, tha se kjo është një arritje e rëndësishme drejt modernizimit të administratës publike dhe përmbushjes së zotimeve të Kosovës në kuadër të Agjendës së Reformave të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian.
“Kjo është një arritje e rëndësishme në rrugëtimin tonë drejt një administrate më moderne dhe më efikase, ku teknologjia na ndihmon të automatizojmë dhe thjeshtojmë proceset administrative dhe të përmirësojmë funksionimin e institucioneve. Por rëndësia e kësaj arritjeje shkon përtej aspektit teknologjik. Ajo është pjesë e përpjekjeve tona për të ndërtuar një administratë ku institucionet dhe sistemet nuk funksionojnë të izoluara, por si pjesë e një infrastrukture të përbashkët digjitale. Njëkohësisht, kjo ndërlidhje kontribuon drejtpërdrejt në përmbushjen e zotimeve tona në kuadër të Agjendës së Reformave të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, konkretisht në digjitalizimin dhe automatizimin e proceseve të administrimit të pagave. Me përmbushjen dhe verifikimin e këtij hapi, sipas mekanizmave të Planit të Rritjes, pritet të mundësohet lirimi i 8.9 milionë eurove nga fondet e Bashkimit Evropian”, tha ai.
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Arton Ahmeti, vlerësoi se ndërlidhja do të përmirësojë shkëmbimin e informatave, saktësinë e të dhënave dhe administrimin e pagave të zyrtarëve publikë.
“Ndërlidhja e sistemit informativ për menaxhimin e burimeve njerëzore dhe me sistemin për menaxhimin e pagave mundëson shkëmbime më të mira të informacioneve, duke ndërlidhur marrëdhënien e punës mes zyrtarëve publikë duke kontribuar në saktësinë e të dhënave dhe administrimin e këtyre pagave. Për Ministrinë e Financave, ky proces ka rëndësi të veçantë edhe me faktin se menaxhimi i përgjithshëm i mjeteve publike kërkon mekanizëm të besueshëm të kontrollit dhe administrimit. Në këtë drejtim, thesari i Kosovës, si Agjencia në kuadër të Ministrisë së Financave, ka rolin thelbësor në ekzekutimin e buxhetit dhe menaxhimin e proceseve financiare. Megjithatë, rëndësia e kësaj ndërlidhjeje shkon përtej aspektit teknologjik. Ajo është një mundësi për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional, për të qartësuar përgjegjësitë dhe për të përmirësuar mënyrën se si institucionet i shkëmbejnë të dhënat e tyre për të arritur qëllimin e përbashkët në menaxhimin më të mirë të financave publike.”
Ndërkaq, Muhamet Behrami, gjatë prezantimit të kontekstit dhe rëndësisë së ndërlidhjes së sistemeve, shpjegoi se deri më tani të dhënat për emërimin, transferimin apo përfundimin e marrëdhënies së punës regjistroheshin veçmas në sistemin e burimeve njerëzore dhe në atë të pagave.
“Kur një nëpunës civil emërohej, transferohej ose i përfundonte marrëdhënia e punës, disa të dhëna regjistroheshin në SIMBNJ dhe pastaj përgatiteshin edhe një herë për listën e pagave. E njëjta e dhënë regjistrohej dy herë nga zyrtarë të ndryshëm dhe në kohë të ndryshme. Ndërlidhja e ndryshon këtë mënyrë pune. Dokumentet zyrtare mbeten pjesë e procesit, por të dhënat që i nevojiten sistemit të pagave nuk përgatiten më veçmas nga ajo e SIMBNJ-së, por ato përcillen në formë elektronike. Nga SIMBNJ dhe për secilën kërkesë dihet kur është dërguar, kur është pranuar dhe si është trajtuar”, tha ai.
“Me ndërlidhjen e dy sistemeve, në momentin e regjistrimit në SIMBNJ, tani e ndryshojmë të marrëdhënies së punës, të nëpunësit, kërkesa përkatëse dërgohet në mënyrë elektronike në sistemin për menaxhimin e pagave, ku këtë kërkesë e trajtojnë zyrtarët përgjegjës të tyre. Kjo sjell dy ndryshime të rëndësishme. Së pari, ky proces harmonizon të dhënat dhe përditëson ato. Dhe së dyti, të dhënat e regjistruara në SIMBNJ përcillen elektronikisht në sistemin e pagave, duke zvogëluar nevojën për regjistrimin e tyre të përsëritur. Regjistrimi dyfishtë ka qenë shpesh burim gabimesh dhe vonesash, prandaj zvogëlimi i tij ndikon drejtpërdrejt në saktësinë e pagave, por në të njëjtën kohë edhe në saktësinë e sistemit të informatës për menaxhimin e burimeve njerëzore”, tha ai.
Ai bëri të ditur se ndërlidhja përfshin tri procese kryesore: emërimin, transferimin dhe përfundimin e marrëdhënies së punës.
“Ndërlidhja përfshin tri procese kryesore. E para është emërimi, pasi atë emërim i regjistrohet në SIMBNJ. Të dhënat dërgohen në sistemin e pagave, ku krijohet edhe kontrata e punonjësit. Pika e dytë është transferimi, kur një nëpunës kalon në pozitë tjetër ose në institucion tjetër, me transfertë, qoftë të brendshëm, qoftë të jashtëm. Kontrata ekzistuese në sistemin e pagave kalon në kontratën e re. Së treti, është përfundimi i marrëdhënies së punës, ku përfundimi i atë emërimit regjistrohet në SIMBNJ, ndërsa ndërprerja e kontratës bëhet automatikisht edhe në sistemin e pagave”, tha ai.


















