Ekonomia Online
FUNDIT

Dyshime për vrasje të fshehur si aksident trafiku, detektivi kërkon rihapjen e rastit

Dyshime për vrasje të fshehur si aksident trafiku, detektivi kërkon rihapjen e rastit

Detektivi Fatmir Bardhoci ka ngritur dyshime serioze për mënyrën se si institucionet e drejtësisë në Kosovë e kanë trajtuar rastin e vdekjes e një personi, shtetas amerikan me prejardhje nga Kosova, raporton Ekonomia Online.

Ai pretendon se vdekja e tij mund të jetë e lidhur me dy ngjarje të tjera kriminale, përfshirë vdekjen e një gruaje, ndërsa kërkon që rasti të rihapet dhe të trajtohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Bardhoci, i cili ka thënë se është autorizuar nga Kongresi Amerikan për të hetuar rastin, ka bërë të ditur se hetimet janë iniciuar pas kërkesës së familjes së viktimës, konkretisht vëllait të tij, Haki Dervishaj, me qëllim të zbardhjes së rrethanave të vdekjes.

Ai ka deklaruar se gjatë investigimit janë identifikuar dyshime për përfshirjen e personave dhe strukturave të caktuara institucionale në moszbardhjen e rastit.

“Pas një investigimi të orientuar me ne si përfaqësues edhe të Kongresit Amerikan, për arsye se shtetasi në fjalë është shtetas amerikan dhe pas kërkesave që i ka bërë familja e tij, vëllai i viktimës, Haki Dervishi, ka iniciuar këtë hetim ndërkombëtar për zbardhjen e shkaqeve të vdekjes së vëllait të tij”, ka deklaruar Bardhoci.

Ai ka thënë se bëhet fjalë për një rast të rëndë, i cili, sipas pretendimeve të tij dhe provave që thotë se janë siguruar gjatë investigimit, mund të ketë ndërlidhje edhe me një tjetër ngjarje kriminale.

“Kemi bërë një investigim të mbështetur edhe nga struktura të ndryshme për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe dua të theksoj se është një ngjarje makabre dhe shumë e rëndë. Jo vetëm për faktin që bëhet fjalë për një shtetas amerikan, por sipas hetimeve dhe dyshimeve të bazuara në prova, ka rezultuar se kjo ngjarje mund të ketë lidhje me një tjetër ngjarje kriminale, që ka të bëjë me varjen e një gruaje”, ka thënë ai.

Sipas Bardhocit, kjo lidhje e mundshme e bën edhe më të rëndë rastin, ndërsa ka ngritur shqetësime për trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave dhe mënyrën se si institucionet kanë vepruar në këto raste.

Një nga pretendimet kryesore të detektivit ka të bëjë me mënyrën se si vdekja e Hysni Dervishajt është trajtuar nga institucionet e Kosovës. Sipas tij, rasti është klasifikuar si aksident trafiku, ndonëse ai pretendon se ka prova që ngrenë dyshime për vrasje.

Bardhoci ka pretenduar se disa struktura policore dhe të prokurorisë mund të kenë penguar zbardhjen e plotë të ngjarjes.

“Por ajo që është më e rëndësishmja është implikimi i disa strukturave policore apo të prokurorisë në moszbardhjen e kësaj ngjarjeje, në pengimin e drejtësisë, duke bërë të mundur që kësaj ngjarjeje t’i ndryshohet edhe drejtimi i hetimeve, duke e klasifikuar nga vrasje në një aksident rrugor”, ka deklaruar Bardhoci.

Ai ka shtuar se, sipas dokumentacionit dhe provave që pretendon se ka siguruar, ekziston dyshimi se ngjarja është trajtuar qëllimisht si aksident trafiku, në mënyrë që të mos hetohen personat e mundshëm përgjegjës.

“Sipas provave që kemi gjetur dhe që bazohen në fakte, ekziston një dyshim i bazuar se ngjarja kriminale është qëllimisht e orientuar në atë mënyrë që të mos zbardhet dhe të trajtohet si aksident trafiku. Kjo bën të mundur eliminimin e çdo subjekti nën hetim, me qëllim që rasti të mbyllet dhe të fshihet kjo ngjarje kriminale”, ka thënë ai.

Bardhoci ka deklaruar se ka zhvilluar biseda me struktura drejtuese të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë në Gjakovë, por pretendon se nga investigimi i tij janë evidentuar lidhje të mundshme të personave të caktuar me ngjarjen.

“Kemi biseduar me disa struktura drejtuese të Policisë së Kosovës dhe të Prokurorisë së Gjakovës për ta zbardhur këtë ngjarje. Dua të them se, sipas të gjitha investigimeve, tregohet dhe vërtetohet se kjo ngjarje ka qenë e lidhur edhe me struktura të policisë, me persona për të cilët ne dyshojmë se kanë lidhje me ngjarjen dhe që mund ta kenë kryer vrasjen. Këta persona, sipas dyshimeve tona, lidhen gjithashtu edhe me vrasjen ose varjen e një gruaje, rast i cili nuk është zbardhur kurrë, por është mbuluar dhe klasifikuar si vetëvrasje”, ka deklaruar Bardhoci.

Ai ka kërkuar gjithashtu që rasti të marrë vëmendjen e institucioneve dhe mediave, duke theksuar se moszbardhja e rasteve të tilla mund të ketë pasoja të tjera në shoqëri.

“Pranë meje është avokatja e familjes dhe vëllai i viktimës, Hysni Dervishaj. Mendoj se kërkohet një prezencë më e madhe e medias për ta intensifikuar procesin që kemi filluar për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Ashtu siç e kam kërkuar edhe pranë organeve të drejtësisë së Kosovës, ne kërkojmë që kjo ngjarje të rihapet. Prokuroria e Përgjithshme e Kosovës duhet patjetër ta rifillojë hetimin penal dhe të mos e lërë këtë rast të klasifikuar si aksident trafiku, por ta trajtojë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, sepse nuk kemi të bëjmë vetëm me një ngjarje që përfshin një person, por sipas dyshimeve tona janë tri ngjarje kriminale të lidhura drejtpërdrejt me njëra-tjetrën”, ka thënë ai.

Edhe avokatja e familjes, Fehmie Gashi Bytyqi, ka ngritur shqetësime për mënyrën se si është trajtuar rasti i Hysni Dervishajt, duke thënë se pavarësisht kërkesave të saj të vazhdueshme drejtuar prokurorisë, një numër veprimesh hetimore nuk janë ndërmarrë ose nuk kanë dhënë rezultate.

Ajo ka bërë të ditur se rasti daton nga viti 2022 dhe se procedura ka mbetur e pezulluar, pasi ngjarja është trajtuar si aksident trafiku.

“Përkundër faktit që çdo shkresë që kam bërë gjendet në dosjen e lëndës dhe çdo herë i jam drejtuar prokurorisë së çështjes, e cila e kishte trashëguar këtë lëndë, ne po flasim për një ngjarje që ka ndodhur në vitin 2022. Pra, jemi duke biseduar për një ngjarje që ka ndodhur para katër vjetësh”, ka deklaruar Gashi Bytyqi.

Sipas saj, ajo i është drejtuar vazhdimisht edhe kryeprokurorit, duke kërkuar trajtimin e shqetësimeve të familjes, por përgjigjja e institucioneve ka qenë se çështja është pezulluar për shkak se është konsideruar aksident trafiku.

Avokatja ka treguar se në muajt e fundit janë përfshirë në hetime edhe dy persona, të cilët, sipas prokurorisë, janë identifikuar nga kamerat e sigurisë duke lëvizur me vetura në zonën përkatëse.

“Arsyetimi i tyre ka qenë se vepra është pezulluar, për arsye se është konsideruar se kemi të bëjmë me një aksident trafiku. Deri para disa muajsh janë përfshirë dy persona, të cilët, sipas prokurorisë, i kanë kapur kamerat e shtëpive duke lëvizur. Janë marrë mostrat nga ato vetura dhe janë dërguar në Agjencinë Kosovare të Forenzikës, por nga ato mostra nuk është arritur asgjë. Kanë provuar t’i dërgojnë edhe në Amerikë, por mostra është dëmtuar këtu në Agjencinë Kosovare të Forenzikës, siç ndodh edhe në raste të tjera”, ka thënë ajo.

Sipas avokates, një pjesë e materialit të mbetur është dërguar më pas në Zvicër për ekzaminim, por edhe nga autoritetet zvicerane është kërkuar material më i madh për të dhënë një përgjigje përfundimtare.

“Pjesa e mbetur e mostrës, e cila është shumë e vogël për të vërtetuar nëse ato dy vetura, pronarët e të cilave janë të dyshuar, e kanë shkelur këtë person, tashmë është në Zvicër. Autoritetet zvicerane kanë thënë se me një sasi të tillë nuk mund të japin përgjigje. Kështu që çështja ka mbetur e pezulluar”, ka deklaruar Gashi Bytyqi.

Një prej elementeve që, sipas avokates, ka ngritur dyshime te familja e Hysni Dervishajt është gjendja e biçikletës me të cilën ai dyshohet se ka qenë në momentin e ngjarjes.

Ajo ka treguar se vëllai i viktimës, Haki Dervishaj, i cili jetonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është kthyer në Kosovë pas vdekjes së të vëllait dhe menjëherë ka kërkuar sqarime për rrethanat e ngjarjes.

Sipas saj, në dokumentet e prokurorisë thuhet se Hysni Dervishaj ka qenë duke lëvizur me biçikletë, por familja ka vërejtur se biçikleta nuk kishte asnjë dëmtim.

“Një nga indiciet kryesore ka qenë fakti se Hakiu, pasi është varrosur vëllai i tij, ka ardhur në Kosovë. Ai jetonte në Amerikë, por është kthyer këtu, pasi është shtetas i Kosovës dhe i Gjakovës. Në momentin e parë kur ka ardhur në shtëpi, natyrisht që ka pyetur se me çfarë mjeti ka qenë vëllai i tij. Në dokumentet e prokurorisë thuhet se ka qenë me biçikletë. Por ajo që është tejet shqetësuese dhe dyshuese është se biçikleta, në mënyrë absolute, nuk ishte e dëmtuar dhe nuk ishte e prekur”, ka deklaruar avokatja.

Ajo ka shtuar se familja ka pasur arsye të kërkojë sqarime, pasi rrethanat e vdekjes dhe gjendja fizike e viktimës, sipas saj, nuk përputheshin me një aksident të zakonshëm trafiku.

“Me të drejtë Hakiu e ka ngritur këtë shqetësim. Ai ka besuar fuqishëm se është inskenuar një aksident, sepse si është e mundur të humbet një jetë njeriu në këto rrethana, ndërkohë që biçikleta nuk është dëmtuar? I ndjeri Hysni Dervishaj, nga fotografitë që unë i kam parë, ka pasur një fizik mjaft të zhvilluar. Edhe në aspektin fizik dukej mirë dhe nuk kishte probleme të njohura shëndetësore. Edhe nga bisedat me kushërinjtë e tij më është thënë se ai nuk vuante nga ndonjë sëmundje”, ka thënë Gashi Bytyqi.

Sipas saj, pikërisht gjendja e biçikletës ka qenë një nga arsyet kryesore që familja ka kërkuar hetime më të thelluara.

Avokatja ka ngritur gjithashtu pyetje për mënyrën se si është trajtuar biçikleta nga policia dhe pse ajo nuk është sekuestruar si provë materiale.

“Indicia tjetër, që është tepër me rëndësi në kriminalistikë, është se pasi Hakiu e ka ngritur shqetësimin se si është e mundur që biçikleta të kthehet, nuk dihet ku është kthyer, kush e ka marrë dhe kush e ka pranuar. Ajo është gjetur në vendin e ngjarjes, ndërsa në shkresat e lëndës thuhet se, me kërkesën e prokurorisë, nuk është sekuestruar, me arsyetimin se ka qenë e padëmtuar dhe nuk ka qenë e nevojshme. Ky është arsyetimi që e kam lexuar para disa ditësh”, ka deklaruar ajo.

Sipas Gashi Bytyqit, pas një periudhe biçikleta është zhdukur, ndonëse pikërisht gjendja e saj ishte një prej shqetësimeve kryesore të familjes.

“Megjithatë, pas një kohe është tepër mister fakti se ajo biçikletë, me të cilën Hakiu e ka ngritur shqetësimin për vdekjen e vëllait, është vjedhur. Pra, është eliminuar, është zhdukur. Përkundër faktit që Hakiu kishte angazhuar edhe një avokat tjetër para meje, çështja e biçikletës asnjëherë nuk ishte përmendur në deklaratat e tij. Unë kam insistuar vazhdimisht dhe e kam ngritur këtë çështje edhe në mënyrë zyrtare”, ka thënë avokatja.

Ajo ka kritikuar gjithashtu kohën që, sipas saj, i është dashur prokurorisë për të kërkuar sqarime nga zyrtarët policorë lidhur me biçikletën.

“Imagjinoni, gati tre vjet i janë dashur prokurorisë për të kërkuar sqarime nga një zyrtar i Policisë së Kosovës lidhur me atë biçikletë. Për ngjarje të tjera kam kërkuar përgjigje dhe ende nuk kam marrë përgjigje as sot. Nga përvoja ime 20-vjeçare, është tepër me rëndësi që këto veprime t’i bëjë policia dhe jo të jetë e detyruar t’i kërkojë avokatja. Kur kemi të bëjmë me një familje të dëmtuar, e cila mund të mos ketë mundësi materiale për të angazhuar avokat, këto veprime duhet t’i ndërmarrin vetë institucionet”, ka deklaruar Gashi Bytyqi.

Një tjetër çështje që avokatja thotë se e ka ngritur zyrtarisht në kuadër të hetimeve është ekzaminimi i telefonit të viktimës, përkatësisht komunikimeve të tij në 24 orët e fundit para vdekjes.

Sipas saj, ky veprim do të mund të ndihmonte në përcaktimin nëse Hysni Dervishaj kishte komunikuar me persona të tjerë para ngjarjes dhe nëse ekzistonin të dhëna që mund të ndihmonin në zbardhjen e rrethanave.

“Unë e kam edhe shkresën që ua kam drejtuar institucioneve, ku kam kërkuar që të bëhet së paku ekzaminimi i telefonit të të ndjerit Hysni Dervishaj për 24 orët e fundit para vdekjes. Të shihet nëse ka komunikuar me dikë, me kë ka komunikuar dhe nëse ka pasur ndonjë kontakt që mund të ndihmojë në zbardhjen e rastit. Por kjo kërkesë nuk është realizuar”, ka deklaruar avokatja.

Familja e Hysni Dervishajt, përmes përfaqësuesve të saj, kërkon që institucionet e drejtësisë të rishqyrtojnë trajtimin e rastit, të vlerësojnë provat dhe të ndërmarrin veprimet hetimore që, sipas tyre, kanë mbetur pa u realizuar.

Pretendimet e detektivit dhe të avokates përfshirë dyshimet për vrasje, pengim të drejtësisë dhe lidhje me raste të tjera kriminale mbeten pretendime të tyre dhe kërkojnë verifikim nga organet kompetente.

Të ngjashme