Rasti i ndodhur në institucionet evropiane në Bruksel, ku është interpretuar një këngë me përmbajtje nacionaliste serbe dhe pretendime territoriale ndaj Kosovës, ka nxitur reagime dhe shqetësime për mënyrën se si është lejuar një aktivitet i tillë.
Canaj për këngën nacionaliste serbe në Bruksel: Ngjarja ngre pikëpyetje për qëllimet e Marta Kos dhe pasivitetin e diplomacisë kosovare
Për ish-ambasadorin e Kosovës, Blerim Canaj, ky rast nuk është thjesht një pakujdesi organizative, por ngre pikëpyetje serioze për rolin e zyrtarëve evropianë, qëndrimin e komisioneres Marta Kos dhe mungesën e reagimit të duhur nga institucionet e diplomacia kosovare.
Canaj në një intervistë për Ekonomia Online ka bërë një krahasim me një rast të mëhershëm të ndodhur në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, përkatësisht me “Marshin në Drin”, të iniciuar atëkohë nga Vuk Jeremiq.
Megjithatë, ai ka theksuar se rasti i fundit dallon për faktin se ka ndodhur drejtpërdrejt në kuadër të Parlamentit Evropian, gjë që, sipas tij, e bën edhe më të rëndë situatën.
Canaj ka ngritur pikëpyetje nëse bëhet fjalë për naivitet apo për një qëllim të caktuar, ndërsa ka kritikuar edhe pasivitetin e institucioneve dhe diplomacisë së Kosovës.
“Po të them të drejtën, është hera e dytë që po ndodhin faktikisht në arenën ndërkombëtare skandale të tilla. Një herë ka ndodhur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ‘Marshi në Drin’, i iniciuar atëherë nga Vuk Jeremiq. Mirëpo dallimi është që këtë herë faktikisht po na ndodh direkt nga pjesa e Parlamentit Evropian dhe kjo është ndoshta e keqja, dhe mund të thuhet lirshëm që këtu dritën e gjelbër e ka dhënë faktikisht Marta Kos për diçka të tillë, që e bën edhe më të rëndë. Në anën tjetër, kur i marrim këto të dyja, atëherë ‘Marshi në Drin’ ka qenë një pjesë historike, përderisa kënga e lëshuar së fundmi për Kosovën faktikisht ka qartazi pretendime territoriale të Kosovës dhe në një vend i cili faktikisht ju jep të drejtë dritën për anëtarësim në Parlament Evropian. Dhe kjo natyrisht që ngre pastaj pyetjen se a po flasim për një naivitet të Marta Kos apo po flasim për një qëllim" ka thënë ai.
"Në anën tjetër, po e vërejmë, edhe t'ju them të drejtën, pasivizimin e institucioneve dhe të diplomacisë tonë, për shkak se në fund të ditës nuk është dashur të ndodhte, për shkak se për dallim nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, kontaktet me pjesëtarët e Parlamentit Evropian do të duhej të ishin më të ngushta”, ka deklaruar Canaj për Ekonomia Online.
Për këtë çështje reagim ka pasur nga përfaqësues politik të Kosovës dhe deputetë të Parlamentit Evropian.
Reagim ka pasur edhe nga Jeton Zulfaj, kryenegociator i Kosovës me Bashkimin Evropian, i cili ka vënë në pikëpyetje përfshirjen e kësaj kënge në një aktivitet të BE-së, ndërsa ka kërkuar sqarime nga komisionerja për Zgjerim, Marta Kos.
















