Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar lidhur me interpretimin e melodisë së një kënge nacionaliste serbe në Forumin e Zgjerimit të Bashkimit Evropian, ku Kosova nuk ishte e ftuar.
Bajrami reagon për këngën nacionaliste serbe në Forumin e Zgjerimit të BE-së: E papranueshme!

Përmes një postimi, Bajrami e ka cilësuar të papranueshme këtë veprim, duke thënë se rasti nuk duhet të trajtohet si një gabim i vogël teknik.
“Në Forumin e Zgjerimit të BE-së, ku Kosova as nuk ishte e ftuar, u interpretua melodia e një kënge nacionaliste serbe që pretendon se Kosova është e Serbisë. Një skandal i tillë nuk duhet të kalojë si një gabim i vogël teknik”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka drejtuar kritika ndaj organizatorëve të forumit dhe Komisionit Evropian, duke kërkuar sqarim dhe kërkimfalje për rastin.
“Përgjegjësia bie mbi organizatorët dhe Komisionin Evropian. Në një forum ku flitet për të ardhmen evropiane të rajonit, përmbajtje të tilla duhet të jenë të papranueshme”, ka deklaruar deputetja e LDK-së.
Bajrami ka kërkuar që Kosovës dhe qytetarëve të saj t'u jepet një sqarim zyrtar, si dhe garanci se një rast i tillë nuk do të përsëritet.
Në reagimin e saj, ajo ka kritikuar edhe institucionet e Kosovës, duke thënë se krerët e tyre ende nuk kanë reaguar lidhur me këtë çështje.
“Përgjegjësi kanë edhe institucionet tona, krerët e të cilave ende nuk kanë thënë as edhe një fjalë”, ka theksuar ajo.
Në fund, Bajrami ka ngritur dy çështje për të cilat kërkon përgjigje nga institucionet e vendit: mungesën e reagimit ndaj incidentit dhe mosftesën e Kosovës në Forumin e Zgjerimit të BE-së.
“Ne kërkojmë përgjigje: jo vetëm pse po heshtni për këtë rast, por edhe pse Kosova nuk ishte e ftuar në këtë forum dhe çfarë u bë për ta siguruar pjesëmarrjen e saj”, ka përfunduar Bajrami.













