Në Gjakovë, rreth orës 17:00 ka ndodhur një plaçkitje në Çarshinë e Madhe të Gjakovës, si pasojë në spitalin “Isa Grezda” kanë kërkuar ndihmë mjekësore tre persona.
Spitali i Gjakovës jep detaje për incidentin me armë zjarri: Një person i plagosur në këmbë, dy gra lirohen pas kontrollit mjekësor

Spitali ka njoftuar se rreth orës 17:10, në Emergjencën e Spitalit të Gjakovës “janë sjellë tre persona, një mashkull dhe dy femra”.
Siç njofton spitali, “pacienti i gjinisë mashkullore ka pësuar lëndim me armë zjarri në gishtin e parë të këmbës së djathtë. Pas ekzaminimit radiologjik (RTG), është evidentuar prania e një trupi të huaj në këmbën e djathtë. Pacienti është pranuar për trajtim spitalor. Gjendja e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë”.
Ndërsa, “te dy personat e gjinisë femërore nuk janë konstatuar lëndime traumatike. Ato kanë qenë të shqetësuara nga ngjarja dhe, pas trajtimit të nevojshëm, janë liruar”.
“Sipas informacioneve të marra më vonë, rasti lidhet me një plaçkitje në Çarshinë e Madhe të Gjakovës. Për rrethanat e ngjarjes, publiku duhet t’u referohet njoftimeve të organeve kompetente”, përfundon njoftimi.

















