Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka kritikuar vendimin lidhur me mosblerjen e energjisë elektrike, duke ngritur pikëpyetje për mundësinë që veriu i Kosovës të vazhdojë të blejë energji nga Serbia.
Haki Abazi kritikon vendimin për mosblerjen e energjisë elektrike: Mbi cilin ligj po lejohet që Veriu të blejë nga Serbia?

Përmes një postimi, Abazi ka kërkuar sqarime se mbi çfarë baze ligjore mundësohet një gjë e tillë, duke vënë në pikëpyetje edhe vendimin e marrë në kohën kur pritet rritje e kërkesës për energji elektrike.
“Punë…, sovraniteti i vendit cep më cep, por vendimi për mosblerje të energjisë elektrike copë-copë, sepse edhe tani Veriu i Kosovës mund të blejë energji nga Serbia. Në bazë të cilit ligj kjo gjë është e mundur?! Ku bazohet vendimi?!”, ka shkruar Abazi.
Ai ka pretenduar se vendimi është marrë në një periudhë kur furnizimi me energji është në pikun e tij, ndërsa ka paralajmëruar se krizat dhe çmimet e larta mund të ndikojnë në furnizimin me energji elektrike.
“Sot, në kohën e pikut me furnizim me energji po marrin vendim, sepse tani me kriza dhe çmimet do të jenë enorme. Vendimi i sotshëm i paraprin çmimit të lartë dhe mungesës që po shkaktojnë ndërprerje të energjisë”, ka deklaruar ai.
Sipas Abazit, vendimi mund ta ekspozojë Kosovën edhe ndaj pasojave juridike dhe financiare, përfshirë kërkesat e mundshme për dëmshpërblim.
“Vendimi i sotshëm e lë Kosovën të ekspozuar ndaj akuzave dhe potencialisht edhe kërkesave për dëmshpërblim”, ka theksuar ish-deputeti.
Në reagimin e tij, Abazi ka ngritur gjithashtu shqetësime për përputhshmërinë e këtij vendimi me marrëveshjet dhe obligimet ndërkombëtare të Kosovës.
“Po ashtu, ky vendim bie në ndesh me CEFTA-n dhe vendimet e Komunitetit të Energjisë si pjesë e Traktatit të Athinës”, ka përfunduar Abazi.













