Blerim Sallahu tashmë mban pozitën e shefit të kabinetit të kryeministrit Albin Kurti, sipas të dhënave në dokumente të Zyrës së Kryeministrit, ndonëse për emërimin e tij s’ka pasur njoftim zyrtar.
Albin Kurti e gjen zëvendësimin për Luan Dalipin, Blerim Sallahu shef i ri kabinetit të tij

Sallahu më herët ka mbajtur disa pozita në institucionet e Kosovës. Ai ka shërbyer si zëvendësministër i Drejtësisë, ndërsa për një periudhë ka qenë edhe ushtrues detyre i ministrit të Drejtësisë.
Gjatë Qeverisë Kurti I, ai kishte qenë shef i kabinetit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, si dhe për shumë vite kishte shërbyer si këshilltar ligjor në Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Në mars të këtij viti, Sallahu është emëruar si këshilltar ligjor i Kurtit.
Sallahu është bërë i njohur edhe për deklaratën e tij për “vajin në tepsi”, të cilën e kishte dhënë në një paraqitje televizive.
Në atë kohë, duke folur për punën e Ministrisë së Drejtësisë, Sallahu kishte thënë se shpejtësia dhe cilësia e punës në këtë ministri mund të krahasoheshin me shpejtësinë e shpërndarjes së vajit në tepsi.
“Po ju them këtu me përgjegjësi që niveli i shpejtësisë së punës së Ministrisë së Drejtësisë dhe cilësisë, gjithashtu, mund të krahasohet me nivelin e shpejtësisë të shpërndarjes së vajit në tepsi”, kishte deklaruar ai.
Kjo shprehje ishte bërë “hit” në rrjetet sociale.
Këtë pozitë për rreth pesë vjet e kishte mbajtur Luan Dalipi, i cili në shkurt të vitit 2026 ishte larguar nga posti i shefit të stafit të Kurtit, duke njoftuar vetë për përfundimin e angazhimit të tij.















