Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka ngritur sërish çështjen e investimeve në sektorin e energjisë, duke pyetur se sa kapacitete të reja gjeneruese janë ndërtuar në Kosovë që nga viti 2021, raporton Ekonomia Online.
Bajrami kritikon Qeverinë për energjinë: Asnjë kontratë afatgjatë, dështim në remonte dhe asnjë investim në sektor

Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka rikujtuar një shkrim të publikuar më 8 dhjetor 2022, në të cilin kishte kritikuar Qeverinë për vazhdimin e masave emergjente për furnizim me energji elektrike.
“Çka ka ndryshu në sektorin e energjisë prej vitit 2021, sa kapacitete gjeneruese janë ndërtu gjatë kësaj kohe?”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka rikujtuar se më 8 dhjetor 2022, Kuvendi i Kosovës kishte votuar për herë të gjashtë masat emergjente për furnizim me energji elektrike, me propozim të Qeverisë.
“Qeveria asnjëherë nuk ka raportuar në Kuvend se për çka i shërbejnë këto masa”, kishte shkruar Bajrami, duke ngritur pyetje nëse ato po përdoreshin për blerjen e energjisë elektrike, kontraktimin e kompanive për investime dhe remonte në KEK, apo për legjitimimin e reduktimeve.
Në shkrimin e saj deputetja kishte renditur edhe atë që e konsideronte mungesë të rezultateve në sektorin e energjisë.
“Asnjë kontratë afatgjatë në energji. Dështim në remonte dhe kontrata shumëfish më të shtrenjta. Strategjia e energjisë nuk është askund. Asnjë investim në sektorin e energjisë”, kishte theksuar ajo.
Bajrami ka rikujtuar se ndërkohë është miratuar Strategjia e Energjisë, por sipas saj, problemi vazhdon të jetë zbatimi i saj.
“Sot, ka Strategji të Energjisë, por s'ka zbatim të saj”, ka shkruar ajo.
Deputetja e LDK-së ka theksuar se masat emergjente është dashur të orientoheshin drejt ndërtimit të kapaciteteve të reja gjeneruese.
“Jemi vonë, por nëse kurrë nuk fillojmë kriza do të vazhdojë të thellohet”, kishte përfunduar Bajrami shkrimin e saj të publikuar më 8 dhjetor 2022.
















