Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim ambasadorin e Japonisë në Kosovë, Kiminori Iwama, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet bilaterale dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Shiroka Pula takon ambasadorin japonez, diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve

Sipas njoftimit të Presidencës, në takim ishte i pranishëm edhe delegacioni i ambasadorit.
Presidentja Shiroka Pula ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë ndaj Kosovës, që nga njohja e pavarësisë e deri te përkrahja për zhvillimin e vendit dhe përpjekjet e tij për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Ajo ka vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në fushën e ekonomisë, arsimit, shëndetësisë dhe mbrojtjes së mjedisit, duke veçuar edhe rëndësinë e programeve të bursave MEXT për studentët kosovarë.
Gjatë takimit, presidentja ka theksuar nevojën për avancimin e bashkëpunimit ekonomik përmes marrëveshjeve për mbrojtjen e investimeve dhe eliminimin e tatimit të dyfishtë.
Po ashtu, ajo ka ngritur çështjen e lehtësimit të udhëtimit pa viza për qytetarët e Kosovës drejt Japonisë, si dhe ka kërkuar mbështetjen e mëtejshme të Japonisë për aspiratat e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Në fund, Shiroka Pula ka vlerësuar edhe rolin e Japonisë në forcimin e stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit.
















