Ekonomia Online
FUNDIT

AKK kundërshton SBASHK-un: Komunat nuk do të bartin barrën financiare të kontratave kolektive

AKK kundërshton SBASHK-un: Komunat nuk do të bartin barrën financiare të kontratave kolektive

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) ka kundërshtuar deklaratat e përfaqësuesve të SBASHK-ut, të cilët kanë adresuar te komunat përgjegjësinë për pasojat financiare të kontratave kolektive të nënshkruara në nivel qendror.

Në reagimin e saj, AKK-ja thekson se komunat kanë respektuar dhe mbështetur vazhdimisht të drejtat e punëtorëve të arsimit, por nuk kanë kapacitete të mjaftueshme buxhetore për të mbuluar detyrimet financiare që rrjedhin nga këto kontrata.

Sipas AKK-së, nuk është e drejtë që marrëveshjet të negociohen dhe nënshkruhen në nivel qendror, ndërsa barra financiare e zbatimit të tyre t'u bartet komunave, të cilat nuk kanë qenë palë nënshkruese.

Asociacioni vlerëson se SBASHK-u është dashur që gjatë negociatave me Ministrinë e Arsimit të kërkojë garanci për financimin e kontratave nga buxheti qendror, pasi vendimmarrja për sigurimin e mjeteve dhe përcaktimin e vijave buxhetore bëhet në këtë nivel.

AKK-ja ka paralajmëruar se pasojat financiare për komunat kanë qenë të rënda, pasi mjete të destinuara për projekte dhe shërbime për qytetarët janë përdorur për mbulimin e detyrimeve nga kontratat kolektive, si dhe të kostove të procedurave gjyqësore dhe përmbarimore.

Në këtë drejtim, Bordi i AKK-së ka bërë të ditur se komunat nuk janë të gatshme të marrin përsipër barrën financiare të kontratave të reja kolektive.

AKK kërkon që çdo marrëveshje e re kolektive të shoqërohet me financim të plotë dhe të garantuar nga buxheti qendror, përmes një vije të veçantë buxhetore.

Në fund, Asociacioni ka theksuar se respektimi i të drejtave të punëtorëve arsimorë duhet të shoqërohet edhe me përgjegjësi financiare nga institucionet që negociojnë dhe nënshkruajnë marrëveshje të tilla, duke mos lejuar që kostot të rëndojnë vazhdimisht mbi buxhetet komunale dhe qytetarët.

Reagimi i plotë:

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës kundërshton deklaratat e përfaqësuesve të SBASHK-ut që ua ngarkojnë komunave përgjegjësinë për pasojat financiare të kontratave kolektive të nënshkruara në nivel qendror.

AKK-ja dhe kryetarët e komunave gjithmonë i kanë respektuar dhe mbështetur të drejtat e punëtorëve arsimorë. Megjithatë, komunat nuk kanë kapacitete buxhetore që detyrimet financiare të këtyre kontratave t’i mbulojnë nga buxhetet e tyre, duke cenuar investimet dhe shërbimet për qytetarët.

SBASHK-u, që në kohën e negocimit dhe nënshkrimit të kontratave kolektive me Ministrinë e Arsimit, është dashur të kërkojë që financimi për zbatimin e tyre të sigurohet nga niveli qendror. Nuk është e pranueshme që marrëveshjet të lidhen në nivel qendror, ndërsa fatura financiare t’u kalojë komunave, të cilat nuk kanë qenë palë nënshkruese.

SBASHK-u e ka ditur dhe e di se vendimmarrja për sigurimin e financimit dhe përcaktimin e vijave të posaçme buxhetore për zbatimin e këtyre kontratave bëhet në nivel qendror. Komunat nuk mund t’i krijojnë vetë mjetet financiare që kërkon zbatimi i tyre. Prandaj, pretendimi se komunat është dashur thjesht t’i planifikonin këto shpenzime shpërfill mënyrën se si sigurohet dhe miratohet financimi i tyre.

Në vend që përgjegjësia t’u atribuohej komunave, SBASHK-u është dashur t’i drejtonte kërkesat për sigurimin e mjeteve tek institucionet qendrore me të cilat i ka lidhur këto kontrata. Gjithashtu, është dashur t’i udhëzonte dhe mbështeste punëtorët arsimorë që kërkesat për realizimin e të drejtave të tyre, përfshirë ndjekjen e rrugëve ligjore, t’i orientonin ndaj institucioneve përgjegjëse në nivel qendror.

Pasojat e deritanishme për buxhetet komunale kanë qenë të rënda. Mjetet e destinuara për projekte dhe shërbime për qytetarët janë shpenzuar për detyrime nga kontratat kolektive dhe për kostot shtesë të procedurave gjyqësore e përmbarimore.

Qëndrimi i Bordit të AKK-së është i qartë: komunat nuk janë të gatshme të bartin pasojat financiare të kontratave të reja kolektive. Çdo kontratë e re duhet të shoqërohet me financim të plotë dhe të garantuar nga buxheti qendror, me vijë të veçantë buxhetore për zbatimin e saj.

Respektimi i të drejtave të punëtorëve arsimorë kërkon përgjegjësi edhe nga ata që negociojnë dhe nënshkruajnë zotimet financiare. Këto zotime duhet të kenë mbulim të siguruar financiar dhe nuk mund të vazhdojnë të rëndojnë mbi buxhetet komunale dhe qytetarët.

Të ngjashme