Ekonomia Online
FUNDIT

Rama: Zyrtari i arrestuar për falsikim të dokumenteve nuk është punonjës i komunës

Rama: Zyrtari i arrestuar për falsikim të dokumenteve nuk është punonjës i komunës

Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se zyrtari që është arrestuar e për të cilin është raportuar është punonjës i Arkivit Ndërkomunal, institucion që funksionon në kuadër të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.

Rama, përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se raportimet që e paraqesin si punonjës të komunës janë të pasakta.

“Për sqarim, zyrtari i dyshuar për përfshirje në tjetërsimin e pronave në Prishtinë është punonjës i Arkivit Ndërkomunal, institucion që funksionon në kuadër të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, në varësi të MINISTRISË SË KULTURËS!

Prandaj, raportimet që e paraqesin atë si punonjës të Komunës së Prishtinës janë të pasakta!

Shëndet!”, ka shkruar Rama.

Gjatë ditës së djeshme është raportuar se një zyrtar komunal në Prishtinë është arrestuar nën dyshimin për falsifikim të dokumenteve dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, zyrtari dyshohet se kishte vërtetuar dokumente të dyshuara si të falsifikuara, duke mundësuar që një person tjetër t’i regjistronte tri prona komunale në emrin e tij.

Arrestimi është kryer më 11 nëntor 2026 nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Njësia për Hetimin e Falsifikimit të Dokumenteve, me autorizim të prokurorit.

Rasti ndërlidhet me periudhën 2022–2023, kur dyshohet se janë kryer veprimet përmes të cilave tri prona komunale kanë përfunduar të regjistruara në emër të një personi.

Të ngjashme