Ekonomia Online
FUNDIT

Rama: Basha dhe Gashani po e rrezikojnë organizimin e Lojërave Mesdhetare, Qeveria t’i përmbushë obligimet

Rama: Basha dhe Gashani po e rrezikojnë organizimin e Lojërave Mesdhetare, Qeveria t’i përmbushë obligimet

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ndaj deklarimeve të deputetit Basha dhe ministrit Gashani në Kuvendin e Kosovës lidhur me organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, duke i akuzuar ata për, siç ka thënë, mashtrim të qytetarëve dhe përpjekje për ta fshehur përgjegjësinë e Qeverisë.

Në një postim në Facebook, Rama ka kërkuar nga Basha dhe Gashani që të ndalin, sipas tij, gënjeshtrat në Kuvend, duke theksuar se Lojërat Mesdhetare përbëjnë një mundësi historike për Kosovën dhe se ekziston përgjegjësia institucionale për realizimin e tyre.

“Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 janë një mundësi historike për Kosovën. Kemi përgjegjësi me e jetësu këtë mundësi dhe me ua lënë brezave një trashëgimi që na bën krenarë”, ka shkruar Rama.

Ai ka pretenduar se deputeti Basha dhe ministri Gashani po e përdorin foltoren e Kuvendit për të mashtruar qytetarët dhe për ta zhvendosur vëmendjen nga përgjegjësitë e Qeverisë, duke shtuar se letrat e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare dëshmojnë se ku qëndrojnë problemet.

“Deputeti Basha dhe ministri Gashani po e përdorin foltoren e Kuvendit për me mashtru qytetarët dhe me e fsheh përgjegjësinë e Qeverisë përmes akuzave ndaj meje dhe Kryeqytetit. Letrat me vërejtje nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare, drejtuar Qeverisë së Kosovës, dëshmojnë qartë se ku janë problemet dhe kush duhet t’i përmbushë obligimet”, ka deklaruar ai.

Rama ka theksuar se qëndrimi i tij dhe i Kryeqytetit për organizimin e kësaj ngjarjeje ka qenë i qartë, duke mbështetur edhe përfshirjen e qyteteve të tjera, por në përputhje me marrëveshjet dhe Masterplanin e miratuar.

Ai ka përmendur edhe përbërjen e Komitetit Organizativ, duke thënë se Prishtina ka vetëm tri nga 12 votat, ndërsa shumicën vendimmarrëse e kanë Qeveria dhe Komiteti Olimpik i Kosovës.

“Qëndrimi im ka qenë dhe mbetet i qartë: i mbështes Lojërat dhe përfshirjen e qyteteve të tjera, në përputhje me marrëveshjet dhe Masterplanin e miratuar.

Unë dhe Kryeqyteti kemi vetëm 3 nga 12 vota në Komitetin Organizativ. Qeveria dhe Komiteti Olimpik i Kosovës e kanë shumicën vendimmarrëse. Përgjegjësinë për vendimet e tyre duhet ta marrin para qytetarëve”, ka shkruar Rama.

Kreu i Prishtinës ka kërkuar zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara dhe të Masterplanit, për të cilin ka thënë se është hartuar nga profesionistët dhe miratuar nga institucionet e Kosovës dhe Komiteti Ndërkombëtar.

“Po kërkojmë zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara dhe të Masterplanit të hartuar nga profesionistët e të miratuar nga institucionet e Kosovës dhe Komiteti Ndërkombëtar. Çdo zotim i marrë në emër të Kosovës duhet të përmbushet”, ka theksuar ai.

Në reagimin e tij, Rama ka kritikuar edhe kryeministrin Albin Kurti, duke e akuzuar se po e përdor organizimin e Lojërave Mesdhetare për agjendë populiste dhe se po nxit përçarje ndërmjet qyteteve, në vend që të përqendrohet në përmbushjen e obligimeve.

“Kryeministri Kurti po e përdor këtë ngjarje historike për agjendën e tij populiste, duke nxitur përçarje mes qyteteve dhe duke hedhur akuza për t’iu shmangur përgjegjësisë. Ndërkohë, koha për pagesat, infrastrukturën dhe përmbushjen e obligimeve po kalon”, ka shkruar Rama.

Sipas tij, rreziku për organizimin e Lojërave Mesdhetare vjen nga veprimet dhe mosveprimet e Qeverisë, ndërsa ka veçuar dy çështje që, sipas tij, po e vënë në rrezik këtë proces.

“Mospagesa e obligimeve ndaj Komitetit Ndërkombëtar, për të cilat vetë Qeveria ka dhënë garanci, si dhe përpjekjet për ndryshimin e Masterplanit të miratuar”, janë dy shqetësimet që ka ngritur Rama.

Ai ka paralajmëruar se afatet për përmbushjen e obligimeve po përfundojnë dhe se çdo vonesë e mëtejshme e rëndon përgjegjësinë institucionale dhe rrezikon realizimin e kësaj ngjarjeje.

“Afatet po mbarojnë. Çdo ditë e humbur e rëndon përgjegjësinë dhe e rrezikon këtë mundësi historike.

QEVERIA DUHET T’I PËRMBUSHË OBLIGIMET E VETA, TANI!”, ka shkruar Rama.

Në fund, kryetari i Prishtinës ka thënë se do të vazhdojnë punën për realizimin e projekteve në kryeqytet dhe për organizimin e Lojërave Mesdhetare, duke theksuar se qytetarët meritojnë që kjo ngjarje të përfundojë me sukses dhe Kosova të përfaqësohet denjësisht para botës.

“Ne do të vazhdojmë me punu për Prishtinën dhe për Kosovën, me përkushtimin që e kemi pasur që nga dita e parë. Qytetarët meritojnë t’i shohin Lojërat të realizohen me sukses dhe Kosovën të dalë faqebardhë para botës.

Kuvendi meriton dinjitet. Qytetarët meritojnë të vërtetën. Kosova meriton që fjala e dhënë në emër të saj të mbahet!”, shtoi Rama.

Të ngjashme